Këto kohë asgjë nuk është më e rëndësishme se sa Corona, dhe kështu do të jetë edhe vitin e ardhshëm. Pandemia sundon gjithë shoqërinë, që nga marsi i kaluar. Dhe gjatë fundvitit politika e ka mbyllur pothuaj krejt vendin.

Nëse për Krishtlindje mbajmë kontakte të shumta, dhe për gjyshërit këto krishtlindje kthehen në Krishtlindjet e fundit, atëherë kemi bërë diçka që nuk është në rregull. Ёshtë mirë që të mos e bëjmë një gjë të tillë,” paralajmëroi kancelarja Angela Merkel, Kur foli me shumë emocione para parlamentit, Bundestag, më 9 Dhjetor, duke pasur parasysh se gati 600 vetë që vdesin nga Corona çdo ditë në Gjermani. Pas kësaj dite numri i të vdekurve ka qenë edhe më i madh.

Por kundërshtimi ndaj kufizimit të lirive individuale është duke u rritur, sidomos nga të ashtuquajturit “demonstrata të atyre që mendojnë ndryshe”. “Nevojitet një lëvizje sociale ku të mblidhen si ekstremistët e djathtë edhe ata të majtë, por edhe ezoterikët dhe ata që nuk e pranojnë shkencën,” thotë për Deutsche Welle-n studiesi i shkencave politike, Florian Hartleb.

Shtatë votime

Vendosja e ekuilibrit midis mbrojtjes së shëndetit dhe së drejtës së lirisë do të ketë ndikim edhe ndaj votimeve të shumta që do të mbahen në vitin 2021, pasi gjatë vitit që sapo mbyllet pati pak zgjedhje.

Qytetarët do të japin votën në gjashtë lande gjermane, mes të cilave në mars në Baden -Vyrtemberg, ku kandidon sërish i vetmi kryeministër landi nga partia e Gjelbër, politikani i preferuar, Winfried Kretschmann. Në muajin prill interesante do jetë në Tyringji, një land ku postin e kryeminstrit e mban Bodo Ramelow, i vetmi kryeministër nga partia E Majta.

Pandemia sundoi vitin 2020

Në Saksoni- Anhalt zgjedhjet për parlamentin e landit zhvillohen në muajin qershor, ku do të vendoset nëse do vazhdojë të qëndrojë në krye koalicioni i përbërë nga kristiandemokratët, socialdemokratët dhe ekologjistët. Në kontradiktat për rritjen e taksave të radio-televizionit, partia kristiandemokrate e këtij landi ishte e vetmja që doli nga falanga e idhtarëve. Kjo u kthye në problem për kristiandemokratët e atjeshëm, sepse për këtë pikë ajo votoi me populistët e djathtë të AfD.

Votimet më të rëndësishme të vitit do të mbahen në muajin shtator, gjatë zgjedhjeve parlamentare. Gjatë këtyre zgjedhjeve merr fund epoka e Merkelit. Ajo do të largohet mbas 16 vjetësh dhe katër mandateve në pushtet. Merkel ka qëndruar në pushtet pothuajse po aq gjatë sa rekordmbajtësi i deritanishëm, Helmut Kohl.

Adieu, Angela!

Çfarë do t’u mungojë gjermanëve kur të largohet ajo? Florian Hartleb mendon: “Vullneti i saj për të mos hequr dorë nga një çështje, pathyeshmëria, puna e palodhur, disiplina dhe elementi shkencor në politikë”.” Si minuse të qeverisjes së saj ai sheh mes të tjerash “të folurit jo të qartë dhe të mbushur me fjalë boshe” dhe “politikën kokëfortë ndaj refugjatëve, ndjekur nga naiviteti i kulturës së mirëpritjes”, e cila bëri që të forcohej AfD.

Merkel është vlerësuar edhe jashtë Gjermanisë, si kancelare e krizave që ka qëndruar e pamposhtur në periudhat e trazuara me krizën e borxheve shtetërore europiane, me Brexitin dhe me Trumpin, si dhe tani me Coronën.

Kancelari i ardhshëm mban emrin Markus Söder?

Prandaj një nga çështjet më të rëndësishme të vitit 2021 do të jetë kush do ta pasojë Merkel-in. Meqenëse Partia Kristiandemokrare, CDU, ndodhet aktualisht në sondazhe të qendrueshme me 35 përqind, duke qenë më lartë se partitë e tjera, mendohet se kryetari i ardhshëm i CDU ka shanse që të bëhet edhe kancelar.

Angela Merkel

Zyrtarisht ekzistojnë tre kandidatë, të cilët do t’i prezantohen delegatëve në kongresin e partisë që zhvillohet në formë digjitale në mes të muajit janar: ish- kryetari i grupit parlamentar të Unionit Friedrich Merz, kryeministri i landit të Renanisë veriore-  Vestfalisë Armin Laschet dhe politikani Norbert Röttgen. Nëse do të varej nga sondazhet, atëherë shumica relative e gjermanëve do të kishte preferuar më shumë si kancelar kryeministrin bavarez, Markus Söder nga partia simotër, Partia Socialkristiane. Gjermania nuk ka pasur asnjëherë ndonjëherë kancelar që të dalë nga kjo parti.

Lojërat e Berlinit me ngjyrat

Pavarësisht se kush do të jetë kancelar, mbas zgjedhjeve parlamentare për Bundestag-un, Unioni konservator i përbërë nga kristiandemokratët dhe kristiansocialët do të ketë nevojë për një partner koalicioni për të marrë pushtetin. Partneri aktual, Partia Socialdemokrate, po tregohet jo vetëm e dobët në sondazhe por edhe e lodhur nga bashkëqeverisja, pasi ka marrë pjesë në dy koalicionet me bazë të gjerë të drejtuara nga Merkeli.

Ata që mbeten janë të Të Gjelbërit, të cilët janë në ngjitje. Përveç kryetarëve të preferuar Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, ka edhe disa të tjerë që kanë marrë qëndrim fundamentalist dhe duan që të marrin pjesë në qeverisje. Habeck, tha në fund të muajit nëntor në një mbledhje partie: “Ne luftojmë me optimizëm për të gjetur zgjidhjet e çështjeve. Dhe për të arritur këto zgjidhje ne luftojmë për të marrë pushtetin.

Por Söder ka paralajmëruar idhtarët e partisë së tij, se nuk është e vetëkuptueshme që qeveria federale të jetë e përbërë nga kristiandemokratët dhe të gjelbërit, pra të zinjtë dhe të gjelbërit: Disa vetë mendojnë se të zinjtë dhe të gjelbërit do të ishin interesantë. Por duhet pasur kujdes, që kur të gdhijë dita të mos jetë ndërruar modeli duke u kthyer në të gjelbër, socialdemokratë dhe të majtë. Sipas llogarive ky kombinim nuk ka marrë deri tani ndonjë shumicë në sondazhe.

Shoqëria e polarizuar

Kurse Partia Aleanca për Gjermaninë, AfD, deri tani partia më e fortë në opozitë në parlamentin federal, Bundestag, është në rënie. Megjithatë kufizimet e bëra për shkak të Coronës mund të nxisin zgjedhës të tjerë t’ia japin asaj votën. “Ne jemi duke përjetuar një vend të përçarë,” thotë Hartleb. “Nëse pas traumës së Coronës ndodh rënie ekonomike, atëherë shoqëria do të mbetet e polarizuar.”

Sidoqoftë, thotë i bindur studiuesi i politikës, në vitin 2021 tema më e rëndësishme do të mbetet pandemia. “Corona është kriza më e madhe që nga viti 1945, me një rëndësi që prek të gjitha fushat e politikës, që nga ajo lokale e deri tek ajo globale.”/DW