Shtyhet afati për 160 vende jo-anëtare të BE

Gjermania shtyn afatin e mbajtjes mbyllur të kufijve me shumicën e vendeve jo anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë edhe Shqipërinë deri më 31 Gusht.

Mediat gjermane bëjnë të ditur se qeveria gjermane ka vendosur të shtyjë përtej 15 Qershorit vendimin për të mbajtur të bllokuar kufijtë për të penguar hyrjen e personave të infektuar nga më shumë se 160 vende të botës që konsiderohen nga autoritetet gjermane si të dobëta në identifikimin dhe mbajtjen nën kontroll të përhapjes së koronavirusit. Shtetasit nga këto vende që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë do të vijojnë t’u nënshtrohen karantinës 14 ditore.

Po ashtu, shtetasit gjermanë këshillohet që të mos udhëtojnë drejt këtyre vendeve. Lista përfshin edhe destinacione mjaft të preferuara turistike verore si Turqia, Egjipti e Tunizia.

Karantina do të hiqet prej 15 Qershorit për shtetasit që hyjnë në Gjermani nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian, por edhe nga disa vende jo anëtare si Britania e Madhe. Prej kësaj date, në Gjermani mund të hyjnë lirshëm qytetarë nga 31 vende të huaja.

15 Qershori është data kur skadon vendimi për bllokimin e kufijve i marrë nga qeveria gjermane që prej Marsit, në kulmin e shpërthimit të përhapjes së COVID-19 në Europë. Më 15 Qershor hapin kufijtë edhe disa vende të tjera të unionit si Italia e Greqia.

Por teksa Italia ende nuk ka vendosur për lejimin e hyrjes për qytetarët nga shumica e vendeve jo anëtare të Bashkimit Europian, Greqia e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve, prej të cilave do të lejohet hyrja e lirë pa karantinën dy javore.

Pak ditë më parë edhe Komisioni Europian u rekomandoi vendeve anëtare të mbajnë kufijtë e jashtëm mbyllur të paktën deri më 1 Korrik për shkak të pandemisë.

Tv Klan