Zingraf: Prioritet edhe negociatat me Tiranën dhe Shkupin

Hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një ndër objektivat e presidencës gjermane të Këshillit Europian, që nis këtë të mërkurë. Ky objektiv është prezantuar edhe në programin e paraqitur nga qeveria gjermane për presidencën 6 mujore, që i kaloi Gjermanisë nga Kroacia dhe që pritet të mbyllet më 31 dhjetor të këtij viti. Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, i bëri thirrje politikës shqiptare të angazhohet për përmbushjen sa më shpejt të kushteve.

“Kushtet e formuluara formalisht, të cilat ishin të parapërcaktuara edhe në vendimin e Parlamentit gjerman janë cilësuar si udhërrëfyes për kalendarin e reformave të Shqipërisë. Uroj që institucionet shqiptare t’i vendosin vetes objektiva ambicioze në zbatimin e këtyre reformave. Kushtet që duhen përmbushur përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit janë thelbësore për vendin dhe do të duhej të ishin të zbatueshme në një periudhë të afërt kohore”.

Zingraf premtoi se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE me fjalë dhe vepra. Po ashtu, qeveria gjermane premtoi mbështetje ekonomike për të gjitha vendet e rajonit, në kapërcimin e pandemisë dhe pasojave të saj. Mbrojtja e klimës dhe avancimi në epokën dixhitale janë të tjera prioritete kryesore të presidencës gjermane.

Tv Klan