Industritë mund të kalojnë në kolaps pasi Rusia mund ta përdorë mirëmbajtjen e Nord Stream si justifikim politik

Gjermania u ka kërkuar njerëzve që të kursejnë energjinë elektrike mes frikës për një ndërprerje të plotë të gazit rus.

Presidenti i Agjencisë Federale të Rrjeteve të Gjermanisë, Klaus Müller, ka deklaruar se së shpejti do të fillojnë kontrollet vjetore të mirëmbajtjes së gazsjellësit Nord Stream 1, i cili lidh drejtpërdrejt Rusinë dhe Gjermaninë. Aktualisht këtë kohë gazi rus nuk rrjedh, ndërsa punimet zakonisht zgjasin dhjetë ditë. Ai u bëri thirrje teknikëve që të përqendrohen në instalimet e ngrohjes dhe ujit të ngrohtë në periudhën e ardhshme.

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi se punimet e rregullta në Nord Stream që do të fillojnë më 11-21 Korrik mund të përdoren si një justifikim politik nga Kremlini që të ndalojë transportin e gazit në Gjermani.

Habeck është shprehur se furnizimi me gaz për periudhën e verës është i siguruar, por më pas do të vijnë problemet. Si rezultat, çmimi i gazit për konsumatorët mund të rritet edhe më shumë.

Qeveria gjermane edhe më herët kërkoi nga kompanitë e mëdha ,por edhe nga qytetarët që të reduktojnë kërkesën për gaz për të shmangur mungesat afatgjata. Avancimi në nivelin e “alarmit” vjen pasi Rusia, furnizuesi më i madh i gazit në Gjermani, kërcënon të ndalojë furnizimin në kuadër të tensioneve të lidhura me pushtimin e Ukrainës nga Moska.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner për televizionin e dytë gjerman, “ZDF” ka deklaruar se ekziston rreziku i një krize shumë serioze ekonomike për shkak të rritjes së fortë të çmimeve të energjisë, për shkak të problemeve me zinxhirët e furnizimit, por edhe për shkak të inflacionit.

Sektorët e Gjermanisë, duke përfshirë kimikatet, metalet, letrën, qeramikën dhe porcelanin, janë në krizë për shkak të alarmit të vendosur nga qeveria. Prodhuesi rus i gazit Gazprom më herët në Qershor bëri të ditur se kapaciteti përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të ulet në vetëm 40% për shkak të kthimit të vonuar të pajisjeve në mirëmbajtje. Kriza energjetike e vendit tashmë po kërcënon stabilitetin social.

Klan News