Sondazhet favorizojnë socialdemokratët e Olaf Scholz

Gjermanëve u kanë mbetur vetëm pak orë për të zgjedhur parlamentin e ri federal, Bundestagun.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 35% e qytetarëve janë të pavendosur duke rritur kështu angazhimin e Armin Laset i Unionit Kristian Demokrat, Olaf Scholz të Social Demokratëve dhe Analena Bermpok nga të Gjelbrit të fitojnë besimin e tyre.

Sondazhet flasin për një epërsi të socialdemokratëve, edhe pse në disa raste diferenca është shumë e ngushtë me Unionin Kristian Demokrat.

Scholz vendosi ta mbyllë fushatën në zonën e tij elektorale në Potsdam, ku fjalimin e fundit e përqëndroi në një çështje që shqetëson pothuajse shumicën e votuesve gjermanë, kostot për marrjen me qira të një shtëpie.

Scholz theksoi se janë në ndërtim më shumë se 800,000 apartamente në disa qytete gjermane për t’i ofruar ato me çmime të ulëta në mënyrë që oferta dhe kërkesa të sjellin çmime të përballueshme për ta.

Në presion me kohën për të kaluar në avantazh, edhe Laset shkoi jashtë Berlinit për mitingun e tij.

I shoqëruar nga Kancelarja në detyrë, Angela Merkel, kandidati i Kristian Demokratëve u ndal në tubimin e fundit në qytetin e tij të lindjes, Aachen.

Por politikani i lartë shihet me mjaft skepticizëm. Shfaqja e tij duke qeshur e duke bërë shaka gjatë vizitës së Presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier në zonat e prekura nga përmbytjet vdekjeprurëse, ka bërë që 60% e gjermanëve të besojnë se Laset nuk ka aftësinë për t’u marrë me katastrofat natyrore.

Sondazhet i rendisin të gjelbrit me kanditaten e tyre Analena Bermpok në vendin e tretë. Në grupmoshën, 18 deri në 29 vjeç, 36% janë në favor të partisë që ajo drejton.  

Në zgjedhjet e vitit 2017, rezultatet e para paraprake u shpallën vetëm 15 minuta pas mbylljes së kutive të votimit.

Por rezultatet përfundimtare, referuar edhe  zgjedhjeve të kaluara, nuk priten para së hënës. Këto zgjedhje do t’i japin fund edhe epokës së Merkelit, e cila do të largohet nga qeverisja pas 16 vitesh.

Tv Klan