Shteti gjerman po e tepron me mbledhjen e të dhënave nga përdoruesit e telefonave inteligjentë dhe të internetit.

Kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese e vendit, duke vendosur kufij për mbikëqyrjen që mund të bëj shteti në drejtim të qytetarëve, raporton agjencia DPA.

Gjykatësit i shpallën jokushtetuese disa aspekte të marrjes së të dhënave – me anë të të cilave, shteti kërkon informacion mbi individët si pjesë e përpjekjeve për të luftuar krimin dhe terrorizmin.

Aktivitetet shkelin “të drejtën e tyre për privatësinë e telekomunikacionit”, thuhet në një deklaratë të gjykatës.

Vendimi nënkupton që legjislacioni për telekomunikimet duhet të reformohet më së voni deri në fund të vitit 2021.

Deri atëherë, rregulloret aktuale mbeten në fuqi, megjithëse trupi gjykues përcaktoi standarde për zbatimin e tyre.

Sipas sistemit aktual, policia, hetuesit federalë dhe agjencitë e inteligjencës që hulumtojnë për krime ose terrorizëm mund të kërkojnë të dhëna të tilla si emrat, adresat dhe datat e lindjes nga ndërmarrjet telefonike dhe ofruesit e internetit. Ata gjithashtu mund të kërkojnë informacione bazuar në IP adresat.

Gjykatësit vunë në dukje se kërkimi i një informacioni të tillë, nuk ishte vetë antikushtetues, por theksuan se për të marrë këto të dhëna duhet të paraqitën prova të një rreziku të afërt ose komploti kriminal.
Kritikët e praktikave të zbulimit të të dhënave kishin parashtruar dy ankesa të ndara në gjykatë, duke përfshirë një të mbështetur nga mbi 6,000 njerëz.

Ministria e Brendshme gjermane tha se vendimi i gjykatës i kishte vendosur këto rregulla nën dyshim, në tërësinë e tyre.

“Ne do të vlerësojmë se cilat përmirësime do të bëhen”, tha zëdhënësi i ministrisë, Steve Alter./REL