chemicalGjermania pranon të marrë përsipër asgjësimin e një pjese të arsenalit të armëve kimike në territorin e saj. Lajmin e kanë konfirmuar dy ministra të kabinetit Merkel, ai i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe ajo e mbrojtjes Ursula von der Leyen, pas kërkesës së Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Sipas Deutsche Welle, Gjermani ka marrë përsipër të asgjësojë mbetjet kimike, nga procesi i demontimit të arsenalit të armëve kimike siriane. Për procesin e neutralizimit dhe asgjësimit pritet të kontraktohet kompania shtetërore gjermane GEKA e specializuar në këtë fushë. Kjo kompani ka kryer edhe demontimin e armëve dhe materialeve kimike luftarake të mbetura nga lufta e parë dhe e dytë botërore në Gjermani.

Ministri i Jashtëm Steinmeier tha se askush nuk mund të refuzojë pjesëmarrjen në procesin e asgjësimit të këtyre mbetjeve të armëve kimike nëse posedon të gjithë teknologjinë e nevojshme ashtu si Gjermania. Sipas tij, procesi i asgjësimit mund të jetë hapi i parë vendimtar drejt procesit të uljes së tensioneve në konfliktin sirian. Dy ditë më parë, nga porti i Latakias, nisi edhe procesi i largimit të kontenierëve të parë me armë kimike nga Siria. Largimi i tyre bëhet me anije daneze. Procesi parashikohet të përfundojë verën e këtij viti. Megjithatë deri më tani ka pasur vonesa në largimin e arsenalit kimik nga Siria, i cili duhej të përfundonte në fund të vitit 2013. Nga konflikti i nisur në vitin 2011, kanë humbur jetën mbi 100 mijë persona, ndërsa 2 milion të tjerë kanë braktisur vendin.