Vdekja e George Floyd në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar protesta të shumta dhe trazira. Pothuajse çdo natë mediat amerikane raportojnë për plaçkitje dhe grabitje të dyqaneve.

Megjithatë në shumë raste është transmetuar edhe se si policët janë ulur në gjunjë duke kërkuar falje për veprimin e kolegut të tyre që shkaktoi vdekjen e afro-amerikanit.

Së fundmi në rrjetet sociale është bërë virale një video, ku një nënkolonel i Gardës Kombëtare i adresohet protestuesve të cilët ishin mbledhur në kryeqytetin e Minnesota-s të hënën.

I ulur në gjunjë, Sam Andrews, shprehu keqardhjen për ngjarjen dhe simpatinë për Floyd.

“Më vjen keq për humbjen tuaj. Si një qytetar i Minnesota-s më vjen keq për humbjen e George Floyd. Më dhemb zemra si qenie njerëzore që jam”, tha ai.

Andrews i tha protestuesve që nëse pranonin, trupat e Gardës Kombëtare mund të qëndronin larg tyre gjatë demonstratës në zonë.

“Natën e kaluar, kur i fola grupit këtu, i cili ishte mbledhur paqësisht kërkuan që oficerët e ushtrisë të mos qëndronin, kështu që u larguam. E dëgjuam zërin e tyre dhe qëndruam prapa, gati të padukshëm. E keni problem të vazhdojmë njësoj”, tha ai.

Pas këtij, fjalimi demonstruesit brohoritën dhe duartrokitën, ndërsa nga pamjet duket që disa prej protestuesve kërkojnë një përqafim nga nënkoloneli./tvklan.al