Qytetari denoncon: Aplikova për zjarrfikës, fituesi ishte shpallur një ditë para afatit

Një qytetar ka kërkuar ndihmën e emisionit “Stop” për një parregullsi në portalin e Bashkisë së Kamzës. Denoncuesi, që nuk dëshiron të identifikohet, thotë se më datën 9 Janar 2020, u shpall një vend i lirë pune për asistent zjarrfikës, dhe si afat për të dorëzuar dokumentacionin, ishte data 19 Janar.

Pas disa ditësh, qytetari mësoi se fitues i portalit ishte Alket Rapi. Por në datën 4 Shkurt u shpall një tjetër mundësi për një tjetër vend pune, sërish zjarrfikës. Aplikimi mbyllej në 14 Shkurt, por fituesi ishte shpallur një ditë më parë, pra më 13 Shkurt.

“Dua të denoncoj portalin e Bashkisë së Kamzës sepse nuk përputhen datat e fituesve me datat që duhet të aplikosh ose të dorëzosh dokumentacionin. Bëhet fjalë kryesisht për Drejtorinë e Zjarrfikëses të Bashkisë së Kamzës, që datat fituese nuk përputhen me shpalljen. Më 9 Janar 2020 ishte shpallur një vend i lirë asistent në zjarrfikëse dhe aty unë mora vesh që kishte fituar Alket Rapi. Në aplikimin e parë unë nuk e mora vesh dhe më iku mundësia për të aplikuar në asistent zjarrfikës. Megjithatë u gëzova kur pashë që ka një tjetër vend të lirë. Unë gjatë kësaj kohe pashë që kisha shumë ditë, si shqiptarët që jemi jo sot jo nesër, bëra dokumentacionin dhe do shkoja atje të dorëzoja, kur shikoj në ëebin e Bashkisë së Kamzës, shpallur fituesi më datë 13 Shkurt 2020. Kërkoj që emisioni “Stop” të zbardhë këtë mesele që ka bërë Bashkia e Kamzës. Edhe në qoftë se ka parregulls në portal, të hapet përsëri që të konkurroj edhe unë. Pavarësisht rezultatit dua që të marr pjesë edhe unë aty në portal”.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi në Bashkinë e Kamzës, ku u prit nga kryetari Rakip Suli. Ky i fundit fillimisht e konsideroi një problem të parëndësishëm shqetësimin në fjalë.

Por më pas, kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli thërriti në zyrë drejtuesin e burimeve njerëzore dhe atë të zjarrfikësve për të sqaruar procedurën.

Pasi shpjegoi të gjithë ngatërresën, drejtori kërkoi ndjesë duke pranuar se ka bërë një gabim njerëzor, një veprim që rrallëherë ndodh me punonjësit e administratën shtetërore.

“Kërkoj ndjesë nëse ka shkaktuar dëm. Një lapsus, por është aplikimi dhe shpallja fitues e të parit, nuk ka të bëjë fare me të dytin. Është bërë me vonesë. Duke filluar që nesër, ai ka të drejtë të aplikojë në sistemin e MZSH Bashkia Kamëz për pranimin në shërbimin zjarrfikës. Do fillojë procedura nga fillimi për aplikimin e dytë”.

Drejtuesit e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli, vlerësuan veprimin e drejtorit që pranoi gabimin dhe priti në zyrë gazetaren për t’i dhënë shpjegime.

Pas sqarimit të kësaj ngatërrese njerëzore, konkursi do të rihapet sërish dhe denoncuesi mund të aplikojë për vendin e punës. /tvklan.al