Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, me atë të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë takimit të llogaridhënies në Fier u ndalën tek investimet infrastrukturore të pritshme në qark.

Damian Gjiknuri: 

“U bë rrjeti 20 kv për pjesën më të madhe të qytetit. Nuk ka përfunduar ende dhe do të vazhdojë pjesa tjetër.

 

Kjo erdhi për shkak të reformave. Këtu do të bëhet një nënstacion i ri elektrik shumë i rëndësishëm. Fieri do të jetë një nyje e rëndësishme energjetike sidomos me linjën që do bëhet Maqedoni-Elbasan-Fier. Pra do ketë një nënstacion dhe do kthehet në qendër të rëndësishme energjetike. Sëbashku me kryetarin e bashkisë po punojmë edhe për disa projekte të tjera sociale me TAP dhe njëkohësisht do nisë edhe një investim i ri të stacionit të kompresorëve të gazit nga ku mund të përfitojë Fieri në punësim, por edhe në gaz më vonë”.

Gjatë diskutimit, ministri Arben Ahmetaj u llogariti përfitimet ekonomike banorëve, të cilat sipas tij, kanë shtuar paranë në xhepin e qytetarëve.

Arben Ahmetaj:

 “Kur dëgjoni fjalën taksa progresive, secili nga ju asnjëherë nuk e mendon që nëpërmjet një lëvizjeje si ajo qytetarëve iu kthyen 540 milionë dollarë mbrapsht në shtëpitë e tyre. Ka sot, 630 mijë të punësuar që kanë të njëjtin efekt për shkak të taksës progresive. Ishte TVSH-ja 10 për qind dhe çdo i sëmurë, per një aspirinë, paguante gjithmonë 10 për qind më shumë. Po e di sa ishte ai 10 %? 15 milionë dollar në vit. Në katër vite 60 milionë dollar. Atyre njerëzve që kanë hall dhe që detyrohen të blejnë ilaçe, 60 milionë ua merrte Saliu me Lulin dhe i harxhonte për rrush e kumbulla. Sot, ne e hoqëm taksën e sëmundjes

”.

Ahmetaj foli edhe për taksën e biznesit të vogël, të cilën deklaron se e kanë ulur në zero, duke përsëritur përgatitjen e ndryshimit të radhës nga ligjvënësi, për uljen në 5% të tatim-fitimit për bizneset që fitojnë deri në 14 milionë lekë./abcnews.al