PD braktis Këshillin. PS: Ngjarje fatkeqe

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar është kthyer në mollën e sherrit mes palëve, duke rrezikuar të ardhmen e reformës elektorale.

Mungesa e opozitës në tryezën e Këshillit Politik pamundësoi mbajtjen e mbledhjes, e thirrur në mesditë.

Bashkëkryetari I komisionit të reformës elektorale, socialisti Damjan Gjiknuri nuk e fshehu zhgënjimin nga vendimi I opozitës, duke e ftuar këtë të fundit të rikthehet në tryezën e dialogut.

“Kjo është një ngjarje fatkeqe për progresin e punës së këtij këshilli. E vetmja thirrje që dua të bëj është që mirëpres opozitën të ulet menjëherë në tavolinën e Reformës Zgjedhore për të vazhduar dialogun. , pasi sot p.sh. kishim një paketë të tërë, e cila priste miratimin tonë dhe që mund të hiqte nga tavolina e diskutimeve një sërë çështjesh shumë të rëndësishme për zgjedhjet në Shqipëri”.

Të njëjtën thirrje adresoi edhe bashkëkryetarja e komisionit të reformës zgjedhore, Rudina Hajdari, duke e ftuar Lulzim Bashën t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar me artistët një vit më parë.

 “Është në kontratën që ka bërë me aleancën që të angazhohet për të reformuar sistemin zgjedhor. Teatri u shemb çfarë të bëjmë tani, mos rri nëpër sheshe. Mbani premtimin për të reformuar Sistemin Zgjedhor për t’i dhënë mundësi popullit të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.”

Pavarësisht bojkotit të mbledhjes së Këshillit Politik, opozita nuk ka ende një vendim final për tërheqjen nga tryeza e reformës zgjedhore, për të cilën palët janë angazhuar që ta përmbyllin në fund të muajit maj. Ndonëse më herët maxhoranca dhe opozita janë dakordësuar për disa çështje, dy pikat më të nxehta për diskutim nga grupi negociator dhe ai teknik mbeten administrate dhe Kolegji Zgjedhor.

Tv Klan