“Shpresojmë që opozita t’i qëndrojë konsensusit të dhënë”

E parashikuar për t’u përmbyllur në 15 Mars, Reforma Zgjedhore do t’i rikthehet punës javën e ardhshme.

Ka qënë bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Elektorale Damian Gjiknuri ai i cili ka paralajmëruar mbledhjen e Komisionit të Posaçëm në 6 Maj, për të njohur anëtarët me ecurinë e deritanishme të dialogut në tryezën politike dhe punën e bërë nga ekspertët.

Në një intervistë për televizionin Klan, Gjiknuri thotë se mbledhja e së mërkurës pritet të japë sinjale pozitive për rinisjen e dialogut të ndërprerë për shkak të pandemisë në 6 Mars.

“Kjo reformë duhet përmbyllur, kishim nisur një dialog pozitiv në kulmin e saj kishim disa produkte”.

Gjiknuri sqaron se gjatë periudhës së ndërprerjes së dialogut politik, palët nuk kanë pasur kontakt për çështjet e mbetura pezull apo të debatura më herët në tryezë.

Opozita e cilëson shoë mbledhjen e radhës së thirrur nga mazhoranca, ndonëse zyrtarisht nga ana e saj nuk konfirmohet nëse do t’i bashkohet tryezës së Reformës Zgjedhore që pritet të thirret pas datës 6 Maj. Por Gjiknuri sqaron se vendi nuk mund të lihet pa zgjedhje, pavarësisht situatës së shkaktuar nga pandemia.

“Partia Demokratike ka dhënë garanci dhe gatishmëri që do të marrë pjesë në këtë proces. S’kemi kohë për të humbur dhe mazhoranca s’do rrijë duarkryq se Covidi do të vazhdojë gjatë. Kjo s’do të thotë që ne mos përgatitemi për zgjedhjet e radhës”.

Pavarësisht dakordësisë së arritur në disa çështje mes të cilave edhe atë të financimit të fushatave zgjedhore dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve, shumë çështje të nxehta presin dakordësinë e palëve, mes të cilave edhe depolitizimin e administratës zgjedhore apo edhe vota e emigrantëve.

I pyetur në lidhje me çështjen e sistemit zgjedhor e kërkuar me forcë nga opozita parlamentare, Gjiknuri shprehet se ajo e tejkalon këtë komision.

Dy javë më parë kuvendi vendosi ta shtyjë deri në 30 Qershor afatin e punës së Komisionit të Reformës Elektorale, i ndërprerë për shkak të pandemisë së COVID-19. Reforma Zgjedhore është cilësuar një kusht i vënë nga Brukseli për Shqipërinë, në mënyrë që të ndihmojë në nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Tv Klan