Marrëveshja për Reformën Zgjedhore tashmë duhet të marrë miratimin e Kuvendit. Votat e nevojshme për kalimin e saj janë 84. Nga studio e Opinion, Blendi Fevziu e pyeti përfaqësuesin e mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknurin, nëse i ka mazhoranca votat e nevojshme për ta kaluar këtë marrëveshje. Kjo duke marrë shkas edhe tek kundërshtia e opozitës parlamentare, e cila ka paralajmëruar se nuk do ta votojë këtë marrëveshje, nëse nuk i plotësohen dy kushte.

Gjiknuri tha se mundësia e dështimit është real, megjithatë ai u shpreh se mazhoranca do të tentojë që të negociojë. Nëse dështon, Gjiknuri u shpreh se Shqipëria nuk është pa ligj elektoral.

Blendi Fevziu: Sa vota ka PS dhe aleatët e saj në parlament?

Damian Gjiknuri: Rreth 78-79 vota.

Blendi Fevziu: Ndërkohë duhen 84 vota për ta kaluar marrëveshjen apo jo?

Damian Gjiknuri: Po.

Blendi Fevziu: A rrezikon që deputetët që quhen opozitë në parlament të mund ta bllokojnë këtë marrëveshje?

Damian Gjiknuri: Tani ky rrezik është real… Ne do të fillojmë, do të tentojmë të negociojmë, do të diskutojmë edhe në parlament. E vështira e kësaj reforme ka qenë që, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri të kemi dy palë opozita, kemi dy pole opozite. Një jashtë parlamentit që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të votave të opozitës dhe një palë tjetër në parlament.

Blendi Fevziu: Dhe si do u thoni ju këtyre deputetëve që na votoni këtë që firmosëm ne, zoti Gjiknuri?

Damian Gjiknuri: E vërtetë është, por është çështje diskutimi, negocimi, mbase edhe dështon…

Blendi Fevziu: Kjo është edhe shpërfillje për ta, je deputet në parlament po rri atje se do të sjell unë një letër që do ta votosh ti.

Damian Gjiknuri: Unë gjithmonë shpresoj tek koshienca kombëtare, politike dhe përgjegjshmëria për interesa të mëdha të Shqipërisë. Por nëse vërtetë dështon, Shqipëria nuk është pa ligj zgjedhor./tvklan.al