Gjiknuri sqaron propozimin e PS-së për listat e hapura



Gjiknuri sqaron propozimin e PS-së për listat e hapura

22:11 01/10/2020

Deputeti Damian Gjiknuri ka sqaruar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” propozimin e socialistëve për listat e hapura. Sipas tij, renditja do të bëhet sipas partisë. Megjithatë sipas përfaqësuesit të selisë rozë në Këshillin Politik, zgjedhësi ka në dorë të ndryshojë renditjen e partisë.

“Duhet të kuptojmë parimin që ka vendosur Kushtetuta për votimin e qytetarëve shqiptarë. Qytetari ka dy zgjedhje, voton për partinë, voton dhe për individin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të thotë që qytetari voton për ekipin politik, por brenda ekipit politik ka mundësi ta ndryshojë këtë renditje, nëse kandidati që kalon një prag të caktuar i kap atë numër votash për të ndryshuar këtë renditje. Ka një listë me renditje që është preferenca e partisë. Nëse zgjedhësi jep për shembull numri 7 merr numrin mesatar të votave për një mandat, që të themi në Gjirokastër mund të jetë 8 mijë vota, ai merr automatikisht mandat nëse kandidatët që janë renditur lart, pra që janë renditur lart ka numër më të vogël. Do të thotë që zgjedhësi ka mundësi të ndryshojë renditjen e partisë politike”, tha Gjiknuri.

Lista e socialistëve ka hasur shumë debate dhe Gjiknuri u shpreh se mund të arrihet një kompromis në Komisionin e Ligjeve, ku drafti ka hyrë për diskutim që të bëhet një renditje lart e kandidatëve.

“Ai që ka më pak vota sipër do të zbresë. Këtu po diskutojmë dhe mund të bëjmë një kompromis nesër. Ka një kompromis në Komision. Unë po e them paraprakisht, por që ka mundësi që të bëjmë meqenëse ka ngjallur një debat, mund të bëjmë një rirenditje lart në bazë të votave preferenciale që kanë marrë edhe pjesa fituese e listës. Votohet njëherë për ekip, sepse zgjedhësin nuk e vendos para një zgjedhjeje arbitrare kur ai pëlqen dhe Bledi Çuçin dhe Mirela Kumbaron njëkohësisht. Zgjedhësi gjykon mua më pëlqen e tërë lista, ama kur më pëlqen një kandidat më shumë që e ka renditur poshtë partia ka mundësi me një votë poshtë mund ta rendis në këtë listë”, tha Gjiknuri.

Sipas Gjiknurit kjo mënyrë votimi u jep stabilitet partive. Por si do të votohet?

“Brenda te fleta ka dy kuti, rreshti ku janë partitë dhe numrat që kishit si model është renditja e kandidatëve. Dhe zgjedh një votë për partinë dhe një votë për kandidatin nëse e zgjedh si gjithmonë sepse një pjesë e mirë e vendeve nuk e zgjedhin fare individin”, tha Gjiknuri./tvklan.al




Të ngjashme