Projektet e përbashkëta për bujqësinë midis bashkive të Qarkut të Elbasanit dhe atyre të rajonit të Imathisë në Greqi ishin në fokus të takimeve që Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, njëherësh drejtues politik i qarkut zhvilloi në Greqi.

Në vizitën e tij në Greqi, Gjiknuri u takua me zv/Prefektin e rajonit Administrativ të Maqedonisë Qendrore dhe Prefekt i Qarkut të Imathisë, Kostandinos Kalaixidhis, Kryetarin e Bashkisë së Verias Kostandinos Voriazidhis, si dhe zv / Kryetaren e Bashkisë së Nauses znj. Dhora Baltaxidhu.

Në një postim në rrjete sociale, Gjiknuri shkruan: “Projektet e përbashkëta për bujqësinë midis bashkive të Qarkut të Elbasanit dhe atyre të rajonit të Imathisë në Greqi ishin thelbi i takimeve produktive që realizova. Prej kohësh, shumë bashkëatdhetarë me origjinë nga Qarku i Elbasanit jetojnë dhe punojnë në këtë zonë ku jo vetëm janë mikpritur e tashmë integruar, por janë ata që po shërbejnë si ura ndërlidhëse me synim thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona. Optimist për rezultatin pozitiv që do të japë në këtë drejtim edhe binjakëzimi i Bashkisë së Verias me atë të Belshit që e ka gjithë potencialin për të qenë shembull suksesi”.