Damian Gjinkuri ka reaguar një ditë pas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, duke sqaruar se me këtë ligj i hapet rrugë aplikimit të votës së emigrantëve.

Në një shënim të lënë në Facebook, Gjiknuri shkruan: Kam ndjekur me vëmendje reagimet publike rreth çështjes së votës së emigrantëve. Fatkeqësisht, retorika politike rreth dy-tre çështjeve të tjera të reformës e la jashtë vëmendjes së medias trajtimin e zgjidhjes ligjore që është dakordësuar për votën e emigrantëve. Kjo mungesë vëmendjeje u la hapësirë spekulimeve.

Ai sqaron se vota e emigrantëve është premtim dhe angazhim i marrë nga Partia Socialiste për tu adresuar dhe se me kërkesën e PS kjo temë u përfshi në axhendën e punës së reformës zgjedhore.

“Në Ligjin e ri Zgjedhor është përcaktuar udhërrëfyesi që do të mundësojë zbatimin e votës së emigrantëve. Në vend që të hartonim dispozita të detajuara në ligj që më pas do të ishin të pazbatueshme dhe do të dështonin, me këshillën e ekspertëve ne zgjodhëm ti japim detyrën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si organi i posaçëm teknik që me Akt Normativ dhe rregulla të posaçme të mundësojë aplikimin e votës në distancë e cila do të shpërndahet sipas qarqeve përkatëse në llogaritjen përfundimtare të rezultatit zgjedhor në Shqipëri”.

Gjiknuri ka ftuar të gjithë mekanizmat dhe organizatat e diasporës të bashkëpunojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të kontribuar bashkarikisht në përcaktimin e teknikaliteteve dhe infrastrukturës më të përshtatshme.

Gjithashtu, qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ti ofruar KQZ-së të gjithë bazën e të dhënave, njohuritë dhe mbështetjen e nevojshme financiare për ta kryer me sukses këtë detyrim ligjor. Ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund këtij procesi për tu mundësuar të gjithë emigrantëve shqiptarë të drejtën e shprehjes me votë në zgjedhje parlamentare”. /tvklan.al