Gjinekologia sugjeron lindje natyrale dhe shprehet se bebja nuk merr Covidin përmes qumështit të gjirit



Gjinekologia sugjeron lindje natyrale dhe shprehet se bebja nuk merr Covidin përmes qumështit të gjirit

18:37 23/03/2021

Jemi në një situatë aspak të zakontë dhe pandemia ka ndikuar në jetën e gjithsecilit prej nesh. Ka ndikuar në gjendjen tonë psikologjike, ekonomike dhe sigurisht në atë shëndetësore. Por për shkak të pandemisë kanë ndryshuar dhe shumë prej planeve të njerëzve e sidomos të çifteve të reja për zgjerimin e familjes. 

Sipas një studimi nga Revista Monitor e publikuar pak ditë më parë numri i martesave është tkurrur ndjeshëm në 2020-n dhe kjo, së bashku me pasiguritë e krijuara nga pandemia, pritet të japë efekt në lindshmërinë në afatin e mesëm në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me 2019, celebrimet ranë me 22%.

Të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan kanë qenë gjinekologia e njohur Mimoza Keta dhe moderatorja Freskida Miloti, ku folën më gjatë rreth kësaj teme. Gjinekologia tregon se është bërë trend lindja me operacion çezarian por nuk e sugjeron, sipas saj lindja në mënyrë natyrale është më e mirë. Madje ajo tregon se foshnja nuk infektohet nga qumështi i gjirit që pi nga nëna dhe sugjeron që të gjitha nënat të ushqejnë fëmijën e tyre me qumësht dhe të mos ia shkëputin edhe nëse ato infektohen me Covid.

Mimoza Keta: Është shumë e rëndësishme të këshillohet lindja normale sepse nuk transmetohet virusi. Sot është bërë trendi lindja me operacion çezarian.

Rudina Magjistari: Pse bën diferencë lidhja normale me çezarianin në këtë rast?

Mimoza Keta: Jo nuk bën asnjë diferencë por meqënëse ato e kanë kaluar, apo janë me Covid, kërkojnë vetë gratë që të lindin me operacion çezarian që nuk është e drejtë sepse lindja natyrale nuk ka asnjë problematikë dhe mund ta mbajë shumë mirë gjendjen e nënës. Por e rëndësishme është masat që duhet të marrë. Një nënë shtatzënë që ka lindur dhe do ta ushqejë bebin me gji, pra pyetja më e rëndësishme e të gjitha grave shtatzënë është a duhet ta ushqej unë fëmijën tim me gji. A e mendoni dot që ta hiqni nga gjiri? Ushqimi i gjirit është më i miri.

Rudina Magjistari: Nëpërmjet qumështit, nëse një nënë është infektuar në ditët e fundit të lindjes, ia transmeton bebes dhe qumështi i saj si është?

Mimoza Keta: Jo, nga qumështi i nënës nuk transmetohen antitrupat dhe nuk ka studime të mirëfillta.

Rudina Magjisstari: Po infeksioni?

Mimoza Keta: As infeksioni, nëse nëna është me Covid qoftë edhe me shumë shenja të Covidit, ajo nuk ka arsye për t’ja hequr bebit qumështin e gjirit. Duke zbatuar rregullat, duke larë duart, duke vënë maskën, veshje të pastër dhe natyrisht me ndihmën e burrit apo një të afërmi që do i shërbejë, fëmija nuk duhet të rrijë në një dhomë me nënën, por ushqimi me gji duhet bërë patjetër.

Rudina Magjistari: Covidi nuk transmetohet përmes qumështit dhe gjakut. /tvklan.al







Të ngjashme