Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Lufta për kreun e Partisë Socialiste mes kryeministrit Majko dhe ish-kryetarit Nano rrezikon të përçajë koalicionin qeveritar “Aleanca për Shtetin”. Socialdemokratët e Gjinushit kanë shprehur hapur preferencën për Nanon ndërsa liberaldemokratët e Cekës mbështesin Majkon, por duke i kërkuar atij të shqetësohet më tepër për koalicionin sesa për partinë.

Duke argumentuar akuzat për Majkon, kryeparlamentari dhe numri 1 i socialdemokratëve Gjinushi shprehet.

Skënder Gjinushi, kryetar i PSD:- “Koalicioni duhet të funksionojë ndershmërisht në menyrë të hapur. Ka një periudhë gati një vjeçare që një nga difektet është që problemet dhe kur i atakojmë ato, në vend t’i atakojmë për t’i zgjidhur i atakojmë për të bërë shoë ose për të fituar pikë ndaj njëri-tjetrit, ose për hir të konkurencës me njëri-tjetrin, brenda PS apo brenda koalicionit. Të tilla lojëra janë të rrezikshme për të gjithë. Nuk jemi dakort që meqënëse tani ka një konkurencë ka një Kongres të Partisë Socialiste para, për hir të kësaj loje të bëjmë shfaqje politike”.

Në këtë klimë mosbesimi lideri i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka ka ripërsëritur kërkesën që Majko të mbledh urgjentisht koalicionin.

Neritan Ceka, kryetari i PAD:- “Kam përshtypjen që kohët e fundit ka si të thuash një angazhim më të madh të Majkos në problemet që lidhen dhe me Partinë Socialiste. Kjo është edhe e natyrshme, por kjo s’duhet të pengojë një institucionalizim të praktikës së funksionimit të koalicionit./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame