ISHP: 10 rrethe me mbulesë të lartë vaksinimi

10 janë rrethet me mbulesën më të lartë të vaksinimit në vendin tonë. Përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit Erida Nelaj thotë se pas Gjirokastrës në vend të dytë renditet Delvina për numrin e lartë të popullatës që është imunizuar. Kjo sipas lidhet me moshën e banorëve të tyre.

“Mbulesat më të larta paraqiten tek ato rrethet që kanë popullsi të moshuar pasi edhe ne vaksinimin e kemi ende tek mosha e moshuara. Ende nuk kemi zbritur poshtë 60+. Konsiderohen me mbulesë të mirë vaksinale deri tani Gjirokastra, Delvina, Kolonja, Mirdita, Puka, Vlora, sepse njësitë me më shumë banorë kanë mbulesë më të ulët”.

Ndonëse Tirana ka numrin më të lartë të të vaksinuarve, ende mbetet larg imunizimit për gjysmën e popullsisë me injektimin e të dyjave doza.

“Ne folëm për mbulesën, pasi po të kthehemi tek numrat e vaksinimit i ka Tirana, 4-5 fish me të larta se të gjitha njësitë e tjera, por ende i duhet punë për të arritur një mbulesë rreth 50 % të popullatës”.

Specialistët e ISHP thotë se mbulesa e lartë e popullatës lidhet direkt me dozën e parë.

“Është shumë i rëndësishëm mbulimi i popullsisë minimumi me dozë të parë, prandaj ecim shumë me dozë të parë dhe doza e dytë është për të forcuar imunitetin”.

Deri tani Shqipëri ka vaksinuar mbi 490 mijë qytetarë dhe mbi 290 mijë janë imunizuar me të dyja dozat. Në disa qarqe me numër të ulët banorësh, mosha e të vaksinuarve ka zbritur në 58 vjeç.

Tv Klan