2 persona përfunduan në prangat e policisë në Peqin, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim për kultivim kanabisi. Falë një operacioni të zhvilluar në fshatin Pajovë, autoritetet sekuestruan 300 kubikë të mbjellë me fidanë kanabis.

“Si rezultat janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasit: K. D., 25 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe Sh. K. 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Pajovë, Bashkia Peqin. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. K., 31 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Përveç fidanëve të kanabisit, policia gjeti e sekuestroi edhe kubikë me pleh për të kultivuar fara kanabisi, një pajisje me helikë centrifugale me motor me depozitë karburanti në të, çadër si ato ushtarake, një sasi lekësh, tre automjete fuoristrada pa targa, në pronësi të Sh. K. dhe pajisje shtëpiake.

Aktualisht, policia thotë se vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim./tvklan.al