Gjithçka kundër shqiptarit në Britani, përveç gjyqtarit…

Gjithçka kundër shqiptarit në Britani, përveç gjyqtarit…

18:34 25/06/2019

Një shqiptar, i cili kishte kultivuar më shumë se 200 bimë kanabis në një shtëpi në Leeds u kap pasi la shenjat e gishtërinjve në një kanaçe birre. Policia e zbuloi aktivitetin kriminal të K.Zyberaj kur bastisi një shtëpi në Queenswood Drive, Headingley, më 13 Gusht të 2017-s.

Policia gjeti 183 bimë të mëdha kanabisi, disa prej të cilave shkonin deri në 1.5 metra të larta, të cilat po rriteshin në dy dhoma gjumi dhe në dhomën e ndenjes. Autoritetet zbuluan gjithashtu 67 bimë që po rriteshin në inkubator.

Në seancën e zhvilluar të gjykatën e Leeds, prokurori Matthew Harding tha se bimët ishin në gjendje të prodhonin mbi 7 kilogramë drogë të Klasit B, vlera e së cilës mund të shkonte deri në 60 mijë paund.

Megjithatë, Zyberaj nuk u kap në momentin kur policia bastisi shtëpinë në fjalë. Ai nuk ndodhej aty, por për fatin e tij të keq, autoritetet gjetën një kanaçe birre, me shenjat e gishtërinjve të shqiptarit.

Ai u arrestua më 30 Janar të këtij viti, kur oficerët e policisë e ndaluan ndërkohë që udhëtonte me makinë në Doncaster. 46-vjeçari i dha policisë një emër fals dhe tentoi që të arratisej. Në bagazhin e makinës, atij iu gjet një çantë brenda së cilës kishte 129 bimë, 2 sëpata dhe thika.

Zyberaj u dha identitetin dhe moshën e saktë oficerëve kur u shoqërua në ambientet e policisë.

Mbrojtësi ligjor i shqiptarit, duke folur në gjykatë tha se ai ishte trafikuar ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

"Ai la Shqipërinë duke paguar një shumë të madhe parash, për t'u futur në kamion për dy ditë dhe iu premtua punë e ligjshme në Britani".

Pasi dëgjoi mbrojtjen, gjykatësi Christopher Batty vendosi t'u japë kohë hetuesve që të vërtetonin deklaratat e shqiptarit përpara se të jepej vendimi për të.

"Informacioni që dhatë sugjeron se mund të jeni trafikuar dhe për këtë arsye nuk mund të jeni përgjegjës për këto krime, siç do të ishte normalisht rasti. Autoritetet janë të detyruara që të hetojnë pretendimet tuaja dhe nuk do të ishte e drejtë sipas meje, që të injoronim këto deklarata dhe të mos lejonim hetimin".

Vendimi për Zyberajn do të jepet më 22 Gusht./tvklan.al
Të ngjashme
Kolegji Profesional
AKSHI