Saimir Shera pretendon se është ai personi që ka shkrepur armën ndaj taksistit 71-vjeçar Abdulla Budlla. Në dëshminë e dhënë përpara oficerëve të policisë, ai ka deklaruar se vëllai Arsil Shera e ka ndihmuar për transportin.

Saimir Shera është shprehur se mes Budllës dhe nënës së tij ka pasur një lidhje dhe prej fjalëve që qarkullonin në fshat ishte detyruar të largohej nga Shqipëria.

“Vrasjen e bëra unë. Vëllai më ndihmoi vetëm me transportin. Nuk mund të duroja më. Gjithë fshati e dinte për lidhjen e nënës sime me Abdullain. Prej vitesh fjalët qarkullonin në fshat. Kam ikur nga Shqipëria prej fjalëve”, ka dëshmuar ai.

Arsil (majtas) dhe Saimir Shera

Më vonë i riu është kthyer në Shqipëri dhe është zhvendosur në një shtëpi më vete. Sipas dëshmisë, kryerja e vrasjes është bërë momenti kur ka mësuar se Budlla i ka ngacmuar edhe motrën.

Shera është shprehur se kallashnikovin që ka përdorur në krim e ka pasur të fshehur që prej vitit 1997. Pasi ka njoftuar të vëllain që ta merrte me makinë, ka shkuar tek vendqëndrimi i taksive tek Lapidari në Fushë-Prezë dhe e ka qëlluar 71-vjeçarin disa herë. Shera pretendon se më pas është larguar drejt Fushë-Krujës, ndërsa armën e ka hedhur në një kamion me skrap.

“Pak ditë më parë mora vesh që Abdullai kishte ngacmuar dhe motrën dhe nuk durova më. Mora kallashnikovin që e kisha të fshehur që në 1997 njoftova vëllain të vinte me makinë dhe sapo e pashë Abdullain tek vendqëndrimi i taksive tek “Labidari” e qëllova. Pas krimit u largova në Fushë-Krujë. Rrugës pashë një kamion me skrap dhe e hodha armën aty”, ka thënë Saimir Shera.

Abdulla Budlla u vra në Fushë-Prezë më 3 Gusht. Për këtë ngjarje janë vënë në pranga vëllezërit Saimir dhe Arsil Shera. Viktima ishte baba i 4 fëmijëve, 3 djem dhe 1 vajzë./tvklan.al

Gazetare: Aida Topalli