Vendos t’i drejtohet “Venecias” për opinion këshillues

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar gjykimin për pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 2019 dhe ka vendosur që ta çojë çështjen në Komisionin e Venecias.

Vendimi u mor pas një seance maratonë, ku gjyqtarët, përveç palës paditëse, shoqatës së bashkive të Shqipërisë, dëgjuan edhe pretendimet e një sërë institucionesh të tjera, përfshi Kryeministrinë, Presidencën, KQZ-në apo edhe Avokatin e Popullit.

Në përfundim të parashtrimeve të bëra nga secili institucion i përfshirë në këtë çështje, gjykata vendosi me shumicë votash që të pezullojë shqyrtimin e mëtejshëm të padisë dhe t’i drejtohet me një kërkesë për dhënie të një opinion këshillues Komisionit të Venecias nëse zgjedhjet lokale të zhvilluara më 30 Qershor të dy viteve më parë pa praninë e opozitës, ishin kushtetuese apo jo.

Gjithashtu, gjyqtarët kushtetues i lanë mundësi palëve në proces që deri më datë 25 Qershor të paraqesin edhe ato nga një pyetje që do t’i bashkangjitet kërkesës që gjykata do t’i dërgojë “Venecias”. 

Vendimi është përshëndetur edhe nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila shprehu besimin se drejtësia do vendoset në vend.

Më herët në një vendim paraprak gjykata rrezoi kërkesën e përfaqësuesve të qeverisë për të pezulluar shqyrtimin dhe për të verifikuar statusin e Voltana Ademit si kryetare e kësaj shoqate. Gjykata tha se për këtë çështje do të shprehet në vendimin përfundimtar.

Zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2019 u mbajtën në një klimë të tensionuar politike dhe në shumicën e njësive vendore pa kandidatë konkurrent, teksa opozita e djathtë vendosi të mos marrë pjesë në to.

Tv Klan