Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve të Mjekësisë. Në këtë mënyrë ajo ka rrëzuar disa nene që kanë të bëjnë me punësimin e detyruar pas përfundimit të studimeve. “Kushtetuesja” e konsideron të ashpër nenin që i detyronte studentët që të punonin 5 vite brenda vendit. Duke qenë se ligji prekte dhe studentët që vijojnë ndërkohë studimet në Universitetin e Mjekësisë me nga 2 dhe 3 vite detyrim punësimi në Shqipëri, gjykata ka kërkuar edhe rishikimin e afateve të tyre.

“Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që  të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen”, njoftoi gjykata.


Gazetarja Elja Zotka, raportoi se kjo do të thotë që nga ky moment nuk mund të lidhet asnjë marrëveshje mes studentëve, Universitetit të Mjekësisë dhe ministrive të Arsimit e Shëndetësisë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese Kuvendi duhet të rishikojë edhe njëherë afatet kushtetuese sepse nuk janë në proporcion me të drejtat e njeriut.

“Kushtetuesja” i ka dhënë afat parlamentit të bëjë ndryshimet e nevojshme brenda 3 muajve në mënyrë që të nxjerrë aktet e reja nënligjore. Në këtë mënyrë, për shkak edhe të vendimit, hiqet edhe masa e pezullimit.

“Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore”, njoftoi gjykata.

Kujtojmë se ky ligj u kundërshtua nga studentët, por edhe nga opozita. Ai u miratua në Korrik të këtij viti si masë për të frenuar largimin e mjekëve nga Shqipëria.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama e konsideroi absurd vendimin e gjykatës kur pezulloi zbatimin e ligjit.

“Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave sepse nuk merrem me vendimet e gjykatave, por edhe pezullimi që i bëri Gjykatës Kushtetuese kërkesës absurde për ta hedhur poshtë këtë gjë, është absurd”, tha ai./tvklan.al