Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 11 vite burg Flori Palin dhe me 6 vjet e 8 muaj burg Fredi Palin.
Flori Pali akuzohej nga SPAK për trafik kokaine dhe marijuane, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Ndërsa vëllai i tij Fredi Pali akuzohej për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.
Po ashtu, gjykata vendosi konfiskimin në favor të shtetit të 3 aparateve celularë, një makine tip “Daimler Chrysler” dhe një are me sipërfaqe 1874 metra katrorë në Ishull Shëngjin.
Siç bën me dije SPAK, procedimi penal për këtë rast u hetua në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Norvegjisë, aty ku edhe ka ndodhur trafiku i drogës.
“I pandehuri Flori Pali në cilësinë e një organizatori të një grupi të strukturuar kriminal gjatë periudhës kohore, Janar 2018 deri në Qershor 2019, në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar në Mbretërinë e Norvegjisë, Halit Xhini dhe Steven Cooper, si dhe një rrjeti shpërndarësish të paidentifikuar, në mënyrë të kundraligjshme, ka drejtuar trafikimin për në Norvegji, ruajtjen, shitjen dhe shpërndarjen në mënyrë të kundraligjshme në Stavanger të Norvegjisë të të paktën 4 kg kokainë dhe 10 kg marijuanë, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e kundraligjshme”, njoftoi SPAK.
Paratë që fitoheshin nga aktiviteti i jashtëligjshëm ai i transferonte ose nëpërmjet shoqërive financiare ose silleshin ‘cash’ nga persona të ndryshëm në Shqipëri. Më pas menaxhoheshin nga i vëllai, Fredi Pali.
Në transferimin e parave, SPAK thotë se është përfshirë edhe e pandehura Anita Adilaj, e cila “ka luajtur rolin e llogaritares së të dënuarit në Norvegji, bashkëjetuesit të saj Halit Xhini, në lidhje me paratë që i dërgoheshin të pandehurit Flori Pali dhe detyrimet që kishin ndaj tij”.
Në lidhje me këtë rast në vitin 2023 janë dënuar në Norvegji edhe anëtarët e tjerë e grupit kriminal, Halit Xhini dhe Steven Cooper.
SPAK thotë se me urdhër të gjykatës janë konfiskuar edhe dy apartamente në Tiranë dhe një makinë tip “Mercedez-Benz”./tvklan.al