“Plumbi i artë”, burg për të penduarit e drejtësisë




“Plumbi i artë”, burg për të penduarit e drejtësisë

10:51 21/05/2022

Gjykata la në qeli edhe 15 personat e tjerë të arrestuar

Nuredin Dumani ishte i pari që doli përballë Gjykatës së Posaçme dhe SPAK për autorësinë e ngjarjeve që vetë rrëfeu. Në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, në ambientet e spitalit, Dumanit iu verifikua e disata masë sigurimi “arrest në burg”.

Me forca të shtuara të policisë, në ambientet e gjykatës, i veçuar nga grupi tjetër, Henrik Hoxhajt iu caktua po e njëjta masë si mikut të tij Dumani. Të dy nuk dhanë asnjë shpjegim shtesë për gjykatën.

Ndërsa efektivi i policisë Leonard Palushi, kërkoi të veçohej nga pjesa tjetër dhe ndryshimin e masës së sigurisë, duke shtuar se familjes së tij i rrezikohej jeta.

“U kërkoj autoriteteve të marrin në mbrojtje familjen time. Kam një jetë që kam vënë veten në rrezik në operacione të ndryshme përfshirë goditjen e kultivimit të drogës apo arrestime të personave të rrezikshëm. Kam dy fëmijë të mitur të cilëve iu duhet siguruar jeta. Nuk kam asnjë lidhje me grupe kriminale apo persona të tillë”.

Gjykata la në burg edhe 15 personat e tjerë. Për më shumë se dy orë para gjyqtares Atalanta Zeqiraj, ata pretenduan se deklarimet e të penduarve janë të pavërteta dhe se Prokuroria nuk ka bërë asnjë verifikim.

I vetmi që nuk doli në Gjykatë ishte shtetasi Ilir Feçi, pasi burgu i Shën Kollit solli gabimisht një person tjetër.

Dy javë pas arrestimit, Nuredin Dumani, personazhi i cili ishte ura lidhëse e disa grupeve kriminale, nxori emra të fuqishëm të botës së krimit, si Suel Çela, Ervis Martinaj, Florenc Çapja, Talo Çela, Kamber Mehja, si porositës të disa krimeve, me vlera monetare që shkonin nga 30 mijë deri në 500 mijë Euro.

“Por rrëfimi i Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt për krimet e kryera gjatë një dekade ka nxjerr emrat e shumë personave të tjerë. Prokuroria e Posaçme vijon verifikimet për dekalarimet e tij për personazhe të rinj, ngjarje, por edhe rolin e zyrtarëve të drejtësisë në lehtësimin e aktivitetit kriminal”, thotë gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi.

Tv Klan













Të ngjashme