Dyshohet se u përfshi në një skemë korruptive

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg kreun e Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena që akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se në seancën për caktimin e masës Lena mohoi akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij është i pabazuar. Lena akuzohet si pjesë e grupit të personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë Euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Kozici i arrestuar për trafikim refugjatësh.

Hetimet që çuan në pranga Lenën janë vijim i një hetimi që 1 muaj më parë, që vuri në përgjegjësi penale edhe 6 persona të tjerë. Me vendim të Gjykatës, 3 prej tyre, konkretisht shtetasit Nikoll Hafesllari, Nikoll Jesku dhe Bledar Kozici, u mbyllën në qeli, teksa 3 të tjerë në “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim paraqitje”.

SPAK thotë se Hafsellari dhe Jesku, tentuan të paguajnë 5 mijë Euro në mënyrë që të zbusnin masën e sigurisë për Bledar Kozicin. Pjesë e këtyre përpjekjeve sipas SPAK ka qenë edhe shtetasja Dajana Kodra dhe Arben Lena, të dy me profesion avokatë. Teksa Artiana Kozici, lidhje familjare me personin që do lirohej dhe Dritan Tabaku, janë marrë nën hetim për moskallëzim krimi.

Të hetuarit në këtë dosje kanë rënë pre e përgjimeve të kryera për një tjetër hetime, teksa SPAK ka në verifikim edhe disa persona të tjerë.

/tvklan.al