Pasi është gjobitur dhe detyruar të paguajë gjobën bashkë me kamatë vonesën, Antonio Dajci i drejtohet Policisë Rrugore, ku i thonë, se jo të gjithë kanë akses në portalin e-albania, por ai gjithsesi duhet të paguajë.

Qytetari me një kamerë të fshehtë të vendosur nga emisioni “Stop” ka regjistruar të gjithë bisedën që ka zhvilluar me specialistët e Policisë Rrugore.

Biseda qytetar-specialiste:

Qytetari: Unë jam Antonio Dajci, kam marrë një gjobë më 19 shtator.

Specialistja: Më thuaj një cikë targën e mjetit, të lutem!

Qytetari: AA 503 Z1

Specialistja: Po Antonio, më datë 16 Tetor të ka dalë gjoba.

Qytetari: Po nuk ka dalë, se e kam kontrollu.

Specialistja: Po ke bërë pagesën e gjobës, Antonio.

Qytetari: Po e kam bërë gjobën, e kam këtu.

Specialistja: Po pra, ajo është gjoba.

Qytetari: Pse ka dalë me vonesë?

Specialistja: Të ka dalë në datën 16 Tetor.

Qytetari: Po unë e kam kontrolluar çdo ditë, më datë 16 s’ka kaluar.

Specialistja: Ku e ke kontrolluar? Hape një cikë “e-albania”, ta shoh, si e ke kontrolluar.

Qytetari: Ja ta shikosh, 0 lekë thotë.

Specialistja: Po ku e ke kontrolluar këtu ti?

Qytetari: Aty, ku paguhet.

Specialistja: Tek “e -albania”, nuk kontrollohet aty. Hape “e-albanian”,vetëm tek “e-albania” të dalin komisionet. Nuk kam punë aty.

Qytetari: S’i ta hap aty?!

Specialistja: Në qoftë se s’di ta hapësh aty, ca të them unë! Shko tek Posta, e sheh tek Posta.

Qytetari: Ah bravo, kam qenë te posta.

Specialistja: Se s’ta thanë ata të Postës, nuk është problemi im. Është e paguar, e sheh këtë?

Qytetari: E kam paguar unë atë!

Specialistja: E ke paguar me kamatë vonesë pra! S’është problemi im, që e ke paguar me kamatë vonesë, se kam unë fajin!

Qytetari: Po pse mo, e kam kontrolluar tek “e-albania” dhe…

Specialistja: Nuk e ke dit, ti sapo më the, që s’di të hapësh “e-albania”.

Qytetari: Unë kam shkuar tek ajo, kam paguat Lekët tek Bashkia Kamëz dhe i kam thënë ma hap pak me 2 mijë lekë. E hapi, s’ka dal gjë, o zotëri, tha. Kam shkuar tek Posta, për të paguar gjobën.

Specialistja: Ore nuk kanë dit ta hapin ato të Postës.

Specialistja 2: Po nuk dinë ato mo ato të Postës, janë t’lodhme ato. Çfarëa t’i  bëjmë ne?!

Pas qytetarit, interesohet dhe gazetarja e” Stop” , të cilës i thonë, se qytetari, që merr gjobë duhet ta kontrollojë atë nga portali, tek komisariatet, derisa ta shlyejë.

Specialistja: Këtu nuk lejohet, të lutem! Nuk lejohet pa autorizim.

Gazetarja: Për çfarë nuk lejohet.

Specialistja: Nuk lejohesh!

Gazetarja: Çfarë autorizimi?

Specialistja: Nuk lejohet të lutem!

Gazetarja: Zonjë të lutem, vini në dijeni eprorët tuaj…

Specialistja: Po do t’i vëmë në dijeni, por ju do të prisni përjashta!

Gazetarja: Nuk kam pse të presë përjashta.

Specialistja: Është institucion shtetëror, që nuk lejohet të filmoni pa autorizimin përkatës.

Gazetarja: Çfarë autorizimi?

Specialistja: Si të gjithë televizionet e tjera.

Gazetarja: Nuk më interesojnë televizionet e tjera, unë jam emisioni “Stop”.

Specialistja: Është zyrë pritjeje.

Gazetarja: Autorizimi im është neni katër e drejta e informimit.

Specialistja: Po të pres! Patjetër, po të pres.

Gazetarja: Po nuk po më pret pra…

Specialistja: Do ulesh pak të vazhdoj me qytetarët? Në rregull, thjesht spostohu të vazhdojmë me qytetarët të lutem!

Gazetarja: Jam sportive qëndroj në këmbë

Specialistja: O zemër, të lutem!

Por lidhur me këtë rast pyesim dhe specialistin e zonës, por ia kthen, që nuk e dinë, se kush e ka neglizhuar, pasi ai vetë ka vetëm 15 ditë, ndërsa në terren janë 4 grupe, ndaj është e vështirë të gjendet, se kush e ka vënë gjobën.

Specialisti i zonës: Të gjitha gjobat, që kanë ardhur në Komisariat për njoftim, policia i ka kaluar, pa merak!

Gazetarja: Kur i keni kaluar në çfarë date i keni kaluar.

Specialisti i zonës: Nuk e di vëllai, ta them, se kujt i ka rënë dorë ajo gjobë, se ato janë 4 grupe.

Gazetarja: A je ti SPZ-ja?

Specialisti i zonës: Po! Po SPZ, kam 15 ditë unë.

Gazetarja: Qenke i ri ti?

Specialisti i zonës: Po pra!

Gazetarja: Po kush është ai i vjetri?

Specialisti i zonës: Ah e kanë hequr atë, e kan çuar patrullë në Kombinat, një Mark Marashi. Supozohet e ka marrë atë ditë gjobën, ne e çojmë filan adresë, dhe shkon tek adresa e shtëpisë. Gjejmë adresën dhe sipas adresës ia dorëzojmë burrit të huaj dhe burri huaj hedh firmë, që u njoftua me masën.

Gazetarja: Po nuk ka ardhur asgjë?

Specialisti i zonës: Po ca të bëjmë! Ca të them unë?! Çfarë të ndihmojë vëllai jot, s’kam mundësi të ndihmoj!

Gazetarja: Po ndonjë fletore ndonjë libër që i mbani shënim?

Specialisti i zonës: Jo, jo, jo. S’ka. Jemi 4 grupe dhe ec e gjeje, kush e ka marrë për shembull tek grupet me e gjet./tvklan.al