COVID-19, rrugët bosh kudo në Shqipëri

Rrugët e Durrësit, bulevardet apo sheshet janë zbrazur plotësisht nga kalimtarët.

Ndryshimi i orareve lëvizëse për këmbësorët të vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes se koronavirusit, shoqëruar me masa administrative, i ka ndërgjegjësuar durrsakët.

Kjo ka bërë që rrugët të jenë bosh dhe në qarkullim mbeten vetëm personat apo automjetet e autorizuara në shërbim të komunitetit.

Elbasani po ashtu i është nënshtruar vetëizolimit. Në oraret e ndaluara nuk ka më qytetarë në lëvizje.

8 persona që nuk i janë bindur urdhrit për të qëndruar në shtëpi, janë ndëshkuar nga policia.

Rregullat e vendosura nga qeveria janë respektuar edhe në Lushnje e Fier, ku mëngjesi i të enjtes i ka gjetur ambientet publike të zbrazura.

Megjithatë, kontrollet policore janë vendosur në rrugët urbane dhe interurbane për të monitoruar lëvizjet, duke vendosur gjoba për këdo nuk respekton vendimet e qeverisë.

Nëse një ditë më parë në Korçë parqet dhe lulishtet ishin plot me qytetarë, sot ofrohet një tjetër panoramë.

Ora 10:00 i ka gjetur të mbyllur në banesat e tyre.

Pas dyndjes së qytetarëve në rrugë të mërkurën, Kryeministri Rama njoftoi se dalja e këmbësorëve do të kufizohet vetëm në fashat orare 06:00 – 10:00 dhe 16:00 – 18:00.

Tv Klan