Kryeministri Edi Rama tha se Presidenti Ilir Meta kërkon të helmojë dhe dëshpërojë popullin me deklaratën e tij të djeshme kur fliste për gjobat për maskat. Synimi i kreut të shtetit për Ramën është përfitimi politik në zgjedhjet e ardhshme.

“Çohet Presidenti i Republikës dhe flet për gjobën, për maskat si shantazh ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut sepse për të që vetëm President nuk është nuk ka rëndësi fare përveçse si të helmojë dhe të dëshpërojë popullin e vet në mënyrë që pastaj kur të vijnë zgjedhjet të mbledhë ç’të mundet për SHPK-në e tij të falimentuar dhe të shkatërruar nga dëshpërimi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për kapacitetet spitalore për të përballuar Covid. Ai u shpreh se në spitalet Covid aktualisht ka akoma vende bosh, por që mund të mbushen shpejt për shkak të ndryshimit të situatës.

Edhe nëse këto dy spitale mbushen, Rama u shpreh se janë gati dy spitale të tjera bashkë me stafet.

“Kemi ¼ e kapaciteteve bosh akoma, por mund të mbushen shpejt. Ky është çelësi që duam ta mbajmë në dorë dhe nuk duam ta mbajë çelësin armiku i padukshëm. Janë dy spitale të tjera gati bashkë me stafet. Ka të tjera në radhë që janë gati. Një sistem i tërë është gati, por kjo nuk do të thotë që ne të luajmë. Vetëm sot instalohen në sistem 60 respiratorë plus”, tha Rama.  /tvklan.al