Ashpërsohen dënimet për shkelësit e rregullave

Parlamenti u hapi rrugë dënimeve në Kodin Penal  për shkak të pandemisë së COVID-19 duke marrë në konsideratë disa prej propozimeve të bëra më herët edhe nga Presidenti Meta, i cili sugjeronte zbutje të disa prej masave ndëshkuese.

Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie ku pasi kaluan kontrollin e mjekëve, të pajisur me maska e doreza në një distancë 1.5 metër deputetët u ulën në sallën e Kuvendit.

Duke kërkuar votën e opozitës, një pjesë e së cilës votoi kundër ashpërsimeve në Kodin Penal, Kryeminsitri shpjegoi arsyet që sipas tij i diktuan mazhorancës ndërhyrjet e menjëhershme në Kodin Penal të ashpërsimeve.

“Në Kodin tonë Penal s’ka asgjë për epideminë. I vetmi Kod Penal në Europë për epideminë ka vetëm për kafshët, si karantinohen kafshët. Këto masa s’janë përgjithmonë, por vetëm për kohëzgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë nga pandemia për tani dhe javët e muajt në vijim dhe janë në kod nëse ndodh sërish”.

Por modeli i ndjekur, sipas Ramës, nuk ka asnjë ndryshim nga ai i vendeve europiane.

Arsyeja e këtyre ashpërsimeve në Kodin Penal diktohet nga hapja e masave javët në vijim, për të cilat kreu i qeverisë tha se po hartohen protokolle të detajuara.

Përgjigje i dha edhe akuzave të opozitës se këtë kohë pandemie po e përdor për dhënie tenderash sekret, apo si në diktaturë po burgos popullin.

Por çfarë parashikojnë amendimet e bëra pas sugjerimeve të Presidentit Meta në Kodin Penal. Moszbatimi i masave shtetërore dënohet me gjobë deri në 6 muaj burg, por kur kjo vepër ka të bëjë me autoritetin tregtar atëherë varion nga gjobë deri në 2 vite burg.

Të gjithë ata që shkelin karantinën do të dënohen me heqje lirie nga 2 deri në 3 vjet. Përhapja me dashje e sëmundes infektive parashikon burg nga 2-5 vite. Ndërsa kur infektimi shkakton pasoja të rënda tek të tjerët, mazhoranca ka hequr dorë nga dënimi maksimal me 15 vite burg duke e zbutur atë në 8 vite burg.

Tv Klan