Gjobitet importuesi i Porto Romanos

Gjobitet importuesi i Porto Romanos

15:15 11/08/2019

Nuk kishte deklaruar 233 mijë litra benzinë

Punonjësit e tatimeve dhe doganave kanë nisur menjëherë kontrollet në mallrat e akcizës, duke u përqendruar kryesisht në pikat e karburanteve. Aksioni ka filluar në Porto Romano në Durrës, që është njëkohësisht edhe zona që ka depozitat më të mëdha doganore të naftës në Shqipëri.

Një nga subjektet është gjobitur me 350 mijë Euro, pasi nuk ka deklaruar pranë autoriteteve doganore 233 mijë litra benzinë, duke shmangur kështu pagesën e akcizës.

 “Ajo që po mundohemi të bëjmë është inventarizimi fizik i të gjithë gjendjes në magazinat fiskale. Krahasimi i gjendjes me sistemin, me deklarimet që kemi në sistem dhe më pas kryqëzimi i informacionit me të gjitha faturat e shitjes dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”.

Kontrollet e muajit Gusht nuk do të shtrihen vetëm te sektori i karburanteve, por dhe pijet alkoolike dhe kafeja.

 “Në Porto Romano jemi duke analizuar të gjitha pikat e magazinave doganore për të gjitha subjektet që kanë vendndodhje të depozitave. Gjithashtu do të zhvendosemi edhe në Fier, si dhe në çdo pikë ku ka magazinë doganore. Kjo jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës”.

Anila Denaj u bëri thirrje bizneseve që të mos fshehin të ardhurat pasi inspektorët do të jenë gjithë kohës në terren për të bërë kontrolle të njëpasnjëshme.

Abuzimet në sektorin e hidrokarburave kanë dalë në dritë nga aksioni kundër evazionit fiskal, që po vijon prej disa ditësh në mbarë vendin. Shkeljet, sipas qeverisë janë bërë duke i kthyer kasat e pikave të karburanteve në regjim manual, për të shmangur në këtë mënyrë taksat.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT