Një qytetar nga Maqedonia e Veriut është gjobitur nga policët rrugorë  pranë tunelit të Elbasanit për tejkalim të shpejtësisë. Policët i morën patentën dhe lejen e qarkullimit.

Sipas denoncuesit, ata e pyetën, nëse do gjobën minimale apo maksimale dhe ai normalisht zgjedh minimalen. Shtetasi maqedonas pagoi 6500 lekë, por i mbajtën patentën, duke i thënë, se do të dalë në komision.

Denoncuesi: Duke u kthyer nga Tirana për në Maqedoninë e Veriut, sa kalova tunelin, më ka ndalur policia. Arsyeja ishte shpejtësia e tejkaluar. Normalisht, e pranova gabimin. Më morën patentën dhe lejen e qarkullimit, më thanë: Do ikësh në Elbasan, duhet të paguash gjobën dhe duhet të vish të marrësh patentën dhe lejen e qarkullimit. Më pyetën, nëse e doja maksimale, ose minimale. Ishte 8000 lekë. U thashë, që ku do  të vij, për t’i gjetur, për t’i marrë prapë dokumentet. Më thanë: Këtu jemi. Pagova gjobën. Kur u ktheva nuk i gjeta. U detyrova të bëja 40 km për t’i rigjetur. Më tha: Të presim këtu, kur të kesh paguar gjobën. Siç e shikoni, policët kanë ikur dhe unë kam ngelur pa patentë e leje qarkullimi. Jam nga Maqedonia, nga Struga dhe nuk po i gjej dot. Më kthejnë vetëm lejen e qarkullimit, për patentën më thanë për komision brenda 10 ditëve. Nuk e dija, që një shtetasi të huaj nga Maqedonia e Veriut, t’i sekuestrohej patenta. Nuk kisha mundësi financiare, për të qëndruar dhjetë ditë. Nuk kisha as caktim date nga policia, ose orë, që kur do dilja në komision dhe rrezikova të kaloja kufirin pa patentë. Nuk më thanë, që në qoftë se ti e paguan këtë minimalen, nuk do të jepet patenta mbrapsht. Nuk më kanë marrë asnjë të dhënë, as një numër celulari, për t’u interesuar, sesi do shkojë procedura, për të marrë patentën.

Por, askush nuk e sqaron, se një shtetas i huaj mund të paguajë dyfishin e shumës së gjobës dhe të marrë direkt patentën. Fatin e patentës e ka në dorë Prefekti i Qarkut Elbasan. Ky shtetas ka shkuar në Maqedoni dhe po pret  t’i kthehet patenta.

Komisioni: Me targa të huaja,drejtuesi i mjetit, ose paguan dyfishin e gjobës, ose e sjell në OASH, për ta shqyrtuar dhe i dërgohet shkresë Prefektit, në rast shpejtësie, ose edhe për shkelje të tjera. Vendimi merret nga Prefekti. Në qoftë se ky zotëri do kishte bërë pagesën dyfish të gjobës maksimale, do i kthehej në vend nga polici. Meqë ke ardhur, ne do ia dërgojmë Prefektit, ose e kthen, ose e pezullon, ose dy muaj, ose tri muaj. Meqë ke ardhur ti, që sot e bëjmë shkresën. Ka qenë keqkuptim, nuk di, si të ta them.

Gazetari: Ky është në Maqedoninë e Veriut. Si do ia nisni?

Komisioni: Me numër telefoni. Normalisht, duhet të vijë vetë personi!/tvklan.al