“Disa vepra dekriminalizohen, shtohen disa te reja”

Ndërhyrjet e shpeshta ndër vite në Kodin Penal nuk kanë dhënë rezultatet që priteshin dhe së shpejti vendi do të ketë një kod të ri Penal.

Në ndryshimet që pritet të konsultohen me ekspertë edhe me grupet e interesit parashikohet dekriminalizimi i disa veprave penale dhe shtimi i disa të tjera.

Nisur nga rastet kur kriminaliteti goditet në qendër të tij, ne kemi bërë të detyrueshme, dënimet plotësuese që lidhen konfiskimin apo mbylljen e biznesit që vënë aktivitetit në shërbim të krimit. Kemi menduar që konfiskimi i detyrueshëm jo për t’ia lënë në dorë opurtinitetit të gjykatave.

Plagosja e lehtë nga pakujdesia është një vepër e cila, është dënuar me gjobë dhe vazhdon të qëndrojë në Kodin Penal si një prej mënyrave si vepër, ku ne mendojmë se duhet ta heqim nga trajtimi si Penale“, u shpreh Arben Rakipi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës.

Për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ky Kod nuk do të lejojë më abuzimet që janë kryer me vendimet e gjykatave që kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore.

Ky draft i ri synon adresimin e problematikave serioze që vijnë si rezultat i paqartësisë dhe boshlleqeve të dispozitave ligjore, të cilat janë bërë shkak për interpretime abuzive në vendime gjyqësore.

Ky Kod synon reflektimin e vendimeve të shumta të Gjykatës Kushtetuese dhe atyre unifikuese të Gjykatës së Lartë, të cilat shpesh herë kanë dhënë vendime për shfuqizimin e disa neneve të ndryshme të Kodit Penal, të cilat janë gjetur prej saj në kundërshtim me dispozitat kushtetuese“, tha Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë.

Sipas Gjonajt ndryshimet në Kodin Penal do të kalojnë në Kuvend brenda këtij viti, ndërsa në muajt tetor dhe nëntor do të ketë diskutime me grupet e interesit.

Tv Klan