Përgjigjia e qeverisë për konfliktin me Gjykatën Kushtetuese

E gjendur në qendër të akuzave për falsifikim dhe shpërdorim detyre, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i është përgjigjur kreut të shtetit në një konferencë për mediat.

Ndërsa, shpjegoi vendimet e Ministrisë, Gjonaj e quajti aksionin e Metës një show presidencial me elemente spektakli, ku nuk kanë munguar edhe etiketimet dhe ofendimet ndaj saj.

Akuzave dhe etiketimeve që i janë drejtuar ne konfliktin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenca, Etilda Gjonaj i konsideron pjesë të një show presidencial, me elemente spektakli, ku nuk mungon edhe komiciteti nga ana e kreut të shtetit.

Akuza se unë si Ministër Drejtësie apo stafi i Ministrisë së Drejtësisë me veprimet tona kemi kryer shkelje penale është thjesht kulmimi i show-t presidencial. Një kulmim mjaft komik do të thosha, po të mos bëhej fjale për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Gjonaj nuk pranoi akuzat se ka shkelur ligjin kur kërkoi botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Që akuzat ndaj saj janë të motivuara politikisht, sipas Etilda Gjonajt e tregon fakti që kandidatja e zgjedhur nga Presidenti Meta është sot në detyrë në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidenti ka ngritur akuzën se botimi në Fletoren Zyrtare ka sjellë pasoja të rënda. Cilat janë efektet apo pasojat juridike që ka krijuar publikimi i këtij vendimi në Fletore zyrtare”?

Presidenca dhe Partia Demokratike reaguan menjëherë pas deklaratave të Etilda Gjonajt, duke e vënë theksin në faktin se ligji nuk i jep kompetenca ministres së Drejtësisë për të botuar në Fletoren Zyrtare vendimet e marra nga institucione të tjera. Pikërisht për këtë, Gjonaj është kallëzuar për 4 akuza në SPAK.

Tv Klan