Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka propozuar ndryshime rrënjësore në Kodin Penal si domosdoshmëri për të harmonizuar më mirë dispozitat e Kodit, të ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme.

Teksa ka folur për 7 propozimet për ndryshimet në Kodin Penal lidhur me qetësinë publike, siguria shëndetësore, sigurisë ushqimore, mbajtjen e armëve pa leje, mbrojtjes së mjedisit dhe kodin elektoral, Gjonaj theksoi se “një ndër prioritetet e qeverisë është pikërisht paketa antikrim, e cila përmban dhe rishikimin në tërësi të Kodit Penal dhe një sërë ligjesh të tjera për ta bërë me efektive luftën ndaj kriminalitetit”.

“Një Kod i ri Penal është një domosdoshmëri e kohës për të harmonizuar më mirë dispozitat e Kodit Penal të ndryshuara në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur, e cila ka krijuar jo pak probleme në harmonizimin e tij të brendshëm.

Por gjithashtu kjo diktohet edhe nga nevoja për t’i përshtatur më mirë institutet e Kodit Penal me zhvillimet e vetë shoqërisë dhe kryesorja me dukuritë dhe veçoritë e reja, të vetë kriminalitetit në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Kjo iniciativë pa dyshim kërkon një analizë të plotë të situatës aktuale dhe një metodologji që ndërton një proces gjithëpërfshirës dhe sa me profesional, me një asistencë ndërkombëtare, me ekspertë të njohur në këtë fushë, jo vetëm si domosdoshmëri e ndryshimeve, por edhe si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e Bashkimit Evropian”, nënvizon Gjonanj.

Ministrja kërkoi nga prokuroria që të kryeje me përgjegjësi veprimtarinë e saj për hetimin e veprave penale, duke vënë theksin te ato që cënojnë rendin kushtetues dhe sigurinë.

“Për këtë qëllim, roli që luan çdo prokuror, në ndjekjen penale, veçanërisht të veprave penale që cënojnë rëndë rendin publik, apo edhe punonjësit e Policisë së Shtetit, duke ulur në këtë mënyrë, perceptimin e përgjithshëm për mirëfunksionimin e shtetit, është shumë i rëndësishëm.

Vetëm nëpërmjet profesionalizmit të prokurorëve, për të ndjekur penalisht të gjitha veprat penale, veçanërisht ato që cenojnë institucionet kushtetuese, pavarësisht se kush është organizatori apo nxitësi i këtyre veprave penale, Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë rezultate të jashtëzakonshme në luftë kundër kriminalitetit”, shprehet Gjonaj. /tvklan.al