“Lufta ndaj korrupsionit, në krye të axhendës politike të qeverisë”

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka qenë pjesëmarrëse në një sesion të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për luftën kundër korrupsionit ku me këtë rast ka mbajtur edhe fjalën e saj. Ajo është shprehur nga foltorja e OKB-së se Shqipëria ka vuajtur gjerësisht nga ekzistenca e këtij fenomeni që ka penguar rritjen e vendit. Gjonaj shtoi se për këtë arsye qeveria shqiptare e ka vendosur luftën ndaj korrupsionit në krye të axhendës së saj politike.

“Korrupsioni padyshim cënon parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ai prek thelbin e besimit që qytetari i jep qeverisë në mënyrë që kjo e fundit të përmbushë përgjegjësitë e saj. Përparimi dhe mirëqenia e një vendi ndikohen thellësisht nga pengesat e shkaktuara nga praktikat korruptive në të gjitha nivelet e qeverisjes. Shqipëria ka vuajtur gjerësisht nga ekzistenca e fenomeneve korruptive në dekadat e fundit, çka ka penguar procesin e demokratizimit, rritjen e ekonomisë, cilësinë e ofrimit të shërbimeve dhe ecurinë e të gjithë shoqërisë në tërësi. Për këtë arsye, Qeveria Shqiptare e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të axhendës së saj politike, duke ndërmarrë hapa konkretë përmes politikave ndërsektoriale, ashtu si edhe mekanizma të shumë niveleve për ta luftuar atë. Ne jemi të vendosur ta çrrënjosim korrupsionin dhe të forcojmë shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vendin tonë”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë u ndal tek Reforma në Drejtësi, e cila sipas saj ka shënuar një pikë kthese në drejtim të intensifikimit të përpjekjeve në në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjonaj u shpreh krenare për rezultatet e Reformës deri më tani, të cilat i konsideroi si tejet shpërblyese dhe inkurajuese.

“Me qëllim, goditjen e korrupsionit endemik në sistemin gjyqësor, u ndërtua një sistem unik i vetingut të gjyqtarëve. Krah kësaj, tashmë është bërë funksionale edhe një arkitekturë e tërë institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë një Prokurori të Posaçme për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjykatat e posaçme, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Një arkitekturë e tillë institucionale mundëson kanalizimin e përpjekjeve ndëshkuese, duke përjashtuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi dhe duke siguruar hetimin dhe ndëshkimin e praktikave të tyre korruptive. Tashmë që reforma në Drejtësi është në një fazë të avancuar të zbatimit të saj, me krenari pohojmë se rezultatet e një reforme të tillë kanë qenë tejet shpërblyese dhe inkurajuese. Për herë të parë, zyrtarë të lartë janë shkarkuar nga detyra, janë ndjekur penalisht dhe janë dënuar për korrupsion, pasuritë e tyre janë konfiskuar dhe tashmë po rihapen çështje të rëndësishme penale. Zbatimi i reformës në Drejtësi në Shqipëri ka qenë një përpjekje tejet sfiduese. Pavarësisht kësaj, përmes përkrahjes së çmuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së, ne arritëm të ngrihemi në një nivel të denjë për këtë sfidë”, tha ajo.

Ministrja u shpreh se qeveria shqiptare ka vendosur dixhitalizimin e shërbimeve publike si dhe ka garantuar instrumente të qëndrueshme të cilat u kanë ofruar qytetarëve gardianin e tyre mbrojtës kundër korrupsionit. Megjithatë sipas Gjonajt, fenomeni nuk është më vetëm kombëtar, por është bërë më kompleks dhe ndërkombëtar. Për këtë arsye ajo shprehu vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të ndërmarrë hapat konkrete për të avancuar në betejën e përbashkët kundër korrupsionit.

“Sado që secili prej nesh përpiqet të luftojë korrupsionin brenda kufijve tanë respektivë, ky fenomen është bërë gjithnjë e më kompleks dhe ndërkombëtar. Ne nuk mund të qëndrojmë më pas mureve tradicionale të kufijve shtetërorë për të identifikuar dhe luftuar flukset e paligjshme financiare dhe shumë lloje të tjera të krimit të organizuar, të cilat janë thellësisht të ndërthurura me praktikat korruptive. Jam sot këtu për të shprehur vullnetin e plotë të Qeverisë Shqiptare për të ndërmarrë të gjithë hapat konkretë që nevojiten për të avancuar këtë betejë të përbashkët kundër korrupsionit”, u shpreh ministrja. /tvklan.al