“Nëse komunikojmë sot me të rinjtë në rrjetet sociale apo edhe me mesazhe telefonike, do të shikojmë që gjithnjë e më shumë ata po përdorin shkurtime duke mos zbatuar rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, duke mos përdorur ‘ë’ apo edhe ‘ç’.”

“Në fakt shkruaj më shkurtime sepse nuk kemi kohë, dhe duam t’i bëjmë gjërat shpejt e shpejt.”

Për akademikët komunikimi i përdorur në rrjetet sociale pasqyron mangësitë që ka shoqëria në zotërimin e gjuhës shqipe, asaj të folur dhe asaj të shkruar.

Linda Mëniku, pedagoge e gjuhës shqipe pranë fakultetit të “Historisë dhe Filologjisë”

, tha se “ka një mungesë të përdorimit të mirë të gjuhës shqipe. Media sociale është një reflektim i nivelit të njohjes së gjuhës shqipe nga qytetarët e Shqipërisë. Nuk mund të kemi pretendim të njohjes së gjuhës shqipe nga media sociale, kur aktet shtetërore dalin me gabime.  Drejt degradimit është një fjalë që tingëllon rëndë, por nëse gjuha shqipe nuk do ketë vëmendjen e duhur, gjuha shqipe përballet sot me sfida të mëdha dhe mund të përkeqësohet.”

Për publicistin Edmond Tupe, akoma më shqetësuese është zhdukja e shumë fjalëve burimore dhe zëvendësimi i tyre me fjalë të huaja.

“Gjuha është organizëm i gjallë që mund të vetkorrigjohet, problemi është tek përdorimi i përditshëm i gjuhës shqipe. Shkurtimet bëhen dhe i kuptoj që nuk vihen këto pika në ‘ë’ në celular, por në kompjuter dhe rrjetet sociale duhet të shkruhet si duhet. Po ikën fjala kujtesë, duke përdorur fjalën memorie.”

Më problem për akademikët, mbetet edhe shtrembërimi i fjalëve në të folur dhe të shkruar nga zyrtarët dhe aktet e dala nga institucionet shtetërore.

Tv Klan