Tendenca më e re e të rinjve shqiptarë është përdorimi i një fjalori, i cili tashmë duket gjithnjë e më shumë i konsoliduar. Një fjalor, i cili gjen vend kudo që ata ndodhen. Një fjalor, i cili rezulton i pakuptueshëm për brezat e tjerë.

Mjaftojnë pak orë mes tyre për të kuptuar se egzistojnë disa lloje kodesh, fjalësh dhe deri tek bashkëbisedime të tjera që të lenë pa fjalë. Duket se nuk dëgjon të flitet shqip hera herës.

Ndër vite janë njohur forma të ndryshme të komunikimit mes njerëzve, duke filluar me shenjat e duke mbaruar me fjalët. Madje nga përtej Shqipërisë ka patur edhe raste të krijimit të alfabeteve të posaçëm për të arritur në një komunikim që veç pak njerëz e njihnin.

Në fakt dëshira për të komunikuar të qetë dhe pa dashur të kuptohen nga njeri, në jo pak raste është qëllimi i adoleshentëve shqiptarë. Fenomeni nuk është i panjohur. E njëjta gjë ndodh dhe me të rinjtë italianë, francezë apo gjermanë. Madje në disa raste zhargonin e tyre e kanë huazuar dhe të rinjtë shqiptarë.

Harruam veç për një çast rregullat bazë të privatësisë dhe u kërkuam atyre më pa probleme të lexonin ndonjë mesazh që kishin në celular ose në rastin më të mirë të na linin edhe t’i filmonim.

Është e qartë pse mes tyre ia dalin mbanë të kuptohen, por çfarë ndodh nëse një mesazh i tillë do t’i drejtohej një prindi, një gjyshi, një motre ose një vëllai më të madh?

Çdo brez nxënësish ka njohur ndër vite ndryshime në përzgjedhjen e fjalëve. Jo vetëm rrobat zgjidhen sipas modës, e njëjta gjë ndodh dhe me fjalët. Më shumë se kushdo tjetër është mësuesi ai i cili e ndjen më shumë këtë ndryshim të përzgjedhjes dhe përdorimit të fjalëve.

Dëshira për të patur shpejtësi maksimale të komunikimit, koha e cila është gjithnjë e më pak e disponueshme për këdo, dalja në treg e prodhimeve më të sofistikuara elektronike ka shtyrë pjesën më të madhe të përdoruesve, kryesisht të rinjtë, të krijojnë thuajse një fjalor të tyren.

E vetmja që mund ta parandalojë këtë përhapje të shpejtë të përdorimit të fjalëve parazitare dhe afrimi drejt shqipes së pastër jaanë librat. Ata të cilët veç dijes, na sjellin zhvillimin e mendimit dhe artikulimit.

Për të diskutuar mbi gjuhën e të rinjve të ftuar në emisionin “Opinion” ishin të ftuar pedagogia Iris Luarasi, juristja Ajola Xoxa, prezantuesja Alisa Braho, pedagogu dhe deputeti Mark Marku, këngëtari Xhani Shqerra dhe profesor Gjovalin Shkurti./tvklan.al