Teksa pjesa dërrmuese e botës po përpiqet të mësojë Anglisht, por edhe frëngjisht e Spanjisht, rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, është duke mësuar gjermanisht më shumë se të gjitha gjuhët e tjera.

Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një raport i publikuar nga “Quartz” bazuar në të dhënat e siguruara nga aplikacioni për mësimin e gjuhëve të huaja “Duolingo”.

Aplikacioni Duolingo përpiqet t’a kthejë mësimin e gjuhës në një lojë të dobishme dhe është ndër më të përdorurit nëbotë.  Anglishtja është gjuha që po mësohet më shumë nga të gjitha anekënd botës, përfshirë edhe Greqinë, Turqinë dhe pjesën tjetër të shteteve të Europës.

Gjuha e dytë më e mësuar në botë është frëngjishtja e cila ndiqet nga spanjishtja, gjë e cila shpjegohet me kolonitë e shumta që këto dy shtete kanë pasur.

Pas tyre renditet gjermanishtja dhe portugalishtja.

Ballkani ndryshe nga të gjithë rajonet

Gjermanishtja del si gjuhë e parë vetëm në pak vende, pothuajse në krejt Ballkanin dhe në një shtet të vetëm në Afrikë, Namibinë.

Kështu, Gjermanishtja është gjuha më popullore në Bosnjë, ku mësohet nga gjysma e përdoruesve të “Duolingo”-s dhe në shtetet e tjera të Ballkanit si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria. Në hartë nuk ka të dhëna për Kosovën.

Aplikacioni thotë se gjermanishtja është shumë popullore në të gjithë rajonin, i cili është afër gjeografikisht me vendet gjermanishtfolëse si Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të ngushta ekonomike mes Gjermanisë dhe krejt rajonit (p.sh. prej këtij rajoni Gjermania ka marrë punëtorë pas Luftës II Botërore dhe deri në ditët e sotme.)

Shumë të rinj në Shqipëri edhe më gjerë në rajon, po përpiqen të mësojnë gjermanisht dhe të transferohen me punë në Gjermani, falë programeve që ky shtet ka rinisur vitet e fundit për thithjen e krahut të punës.

Sa i përket Namibisë, ky shtet ka qenë koloni e Gjermanisë dhe gjermanishtja ka qenë gjuhë zyrtare në vend deri në vitin 1990. Edhe tani flitet nga një e treta e popullsisë së vendit.

Vendi që po mëson gjuhën e vet

Ka edhe disa të dhëna të tjera interesante; p.sh., gjuha më e mësuar në Suedi është suedishtja, dhe kjo shpjegohet me faktin se atje ka shumë emigrantë.

 “Një prej gjashtë rezidentëve suedezë në vitin 2015 është lindur jashtë Suedisë,” thotë Bozena Pajak, drejtoreshë e hulumtimit pranë Duolingos./tvklan.al