10 ditë pas zgjedhjeve, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka përshëndetur fitoren e koalicionit të partive shqiptare për komunën e plotë të Tuzit. Kreu i shtetit nuk e konteston të drejtën e tyre për të udhëhequr këtë komunë.

“Kemi pasur një proces të rregullt dhe unë përgëzoj koalicionin shqiptar për fitoren e saj dhe besoj se do të mbështesë stabilitetin shumetnik të Malit të Zi”.

Megjithatë Gjukanoviç nuk e fshehu zhgënjimin që Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar prej tij, u rendit e dyta në zgjedhjet lokale të Tuzit. Shkak sipas tij, u bënë ndërhyrjet e liderëve shqiptarë, që bënë thirrje për unitetin e partive shqiptare.

“Gjithmonë përpiqem të mos ndërhyj në proceset politike të vende të tjera. Unë kurrë nuk kam dhënë rekomandime për votuesit malazezë në vende të tjera. Ndërsa këtu kemi pasur rekomandime të tilla… që kontribuuan në këtë rezultat”.

Forumi Shqiptar fitoi 16 nga 32 vendet në Këshillin Komunal të Tuzit, duke marrë të drejtën për të zgjedhur kryetarin e Komunës. Social Demokratët kërkuan rinumërimin e votave, proces që rikonfirmoi fitoren e shqiptarëve.

Tv Klan