bulevardi2Gjykata Administrative rrëzon vendimin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar që pezulloi punimet për bulevardin e ri të Tiranës.

Vendimi i INUK i datës 6 mars është gjetur i pambështetur në ligj nga gjykata pas ankimimit të bërë nga Bashkia e Tiranës. Tashmë, firmat ndërtuese të kontraktuara nga Bashkia mund të vijojnë punën për këtë vepër të rëndësishme të kryeqytetit të lënë pezull 10 ditë më parë.

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nxorri një urdhër për pezullimin e punimeve për shkak të ankesave të banorëve që prekeshin nga ky projekt.

Por Bashkia e Tiranës e konsideroi këtë një vendim me prapavije politike dhe që binte ndesh me ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në disa deklarata të përsëritura nënkryetari Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo tha se një vendim i tillë ishte i paargumentuar. Projekti sipas tij kishte miratimin e Këshillit Bashkiak, Këshillit të Rregullimit të Territorit dhe Këshillit të Ministrave. Pretendimi për ankesat në lidhje me çmimin e shpronësimit, për nënkryetarin e Bashkisë nuk qëndron, jo thjeshtë për faktin se Këshilli Bashkiak e ka aprovuar me votë unanime të majtë të djathtë vlerën e shpronësimit, por edhe nëqoftëse ka hapësirë për rishikim të çmimeve të shpronësimit është vetë qeveria që e ka në dorë ta ndryshojë, por bllokimi mbetet i pajusfikueshëm.

Punimet për zgjatimin e bulevardit të Tiranës nisën në shtator të vitit të kaluar me afat 18 mujor.

Bllokimi bëhej edhe më paradoksal kur 40 milionë dollarët e projektit në fjalë, nuk janë nga fondi qeverisë shqiptare, por nga donacione të huaja të siguara nga fondi zhvillimit Abu Dabi pas një lobimi intensiv të kryetarit të Bashkisë Lulëzim Basha.