Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, që iu drejtua për pezullimin e dekretit të Presidentit për zgjedhjet në Dibër, ndërsa ende pritet të shqyrtohet kërkesa tjetër, që kjo forcë politike dorëzoi pranë kësaj Gjykate, ku kërkohet pavlefshmëria e këtij dekreti.

Në vendimin e Gjykatës Administrative, rrëzimi i kërkesës argumentohet me faktin se ky organ jep vendime jopërfundimtare, vetëm në rastin e mospranimit të padisë dhe të pushimit të gjykimit, si dhe gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së saj.

Gjykata Kushtetuese vendosi në datën 1 Gusht të rrëzojë kërkesën e Kryebashkiakut të shkarkuar, Shukri Xhelili, për rikthim në detyrë.

Në datën 2 Gusht, Presidenti Nishani, pasi u njoh nga ky organ me vendimin e saj, dekretoi datën 11 Shtator, si datën e zgjedhje të pjesshme lokale në Dibër.

Por Partia Socialiste pretendon se Presidenti është në shkelje kushtetuese, pasi duhet të priste të shpallej në Fletoren Zyrtare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përpara se të nxirrte dekretin. E për këtë arsye, kjo forcë iu drejtua Gjykatës Administrative me dy kërkesa, atë për pezullimin dhe pavlefshmërinë e dekretit presidencial.

Presidenti sqaroi se, akti i shpalljes së datës së zgjedhjeve është format nga kreu i shtetit, pasi është Gjykata Kushtetuese që përcakton afatet kur duhet të zhvillohen zgjedhjet.

Tv Klan