Ish-drejtori i MEICO: Përgjegjësi e FA. Mediu: Ministria zbatoi ligjin

Gjykata e Posaçme dëgjoi për të paktën 3 orë dëshminë e Ylli Pinarit, ish-drejtorit të MEICO, kompanisë shtetërore të shitjes së municioneve në kuadër të gjyqit që po zhvillohet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Pinari tha për mediat se vlerësonte përgjegjës zinxhirin e Forcave të Armatosura për shpërthimin tragjik në Gërdec.

“Përgjegjësi totale e Forcave të Armatosura! Shkelje flagrante e vendimit 138 dhe shumë akteve të tjera që normonin veprimtarinë e demontimit të materialeve ushtarake. Forcat e Armatosur nuk kanë kryer asnjë nga detyrat që i ngarkonte legjislacioni, vendimet e qeverisë. Për mua tërësisht forcave të armatosura dhe operatorit që duhet të zbatonte rregullat që ne ia kishim ngarkuar në kontratë”.

Për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ishte i pranishëm në seancë, dëshmia tregoi se si ministri ka zbatuar detyrën.

“Dua ta bëj të qartë vendimi i këshillit të ministrave i përcakton ministrit disa detyra, MEICO disa detyra, forcave të armatosura lëvizjen, sigurinë e procesit, trajtimin e produkteve të demontimit dhe po ashtu përcakton që ka nevojë për çmilitarizimin, jo vetëm për urdhrin e ministrit, por edhe për një udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili ka munguar. E gjithë kjo situatë qartësoi një gjë, që ministri i mbrojtjes ka zbatuar detyrimet ndërkombëtare, ligjore, interesat e sigurisë së vendit, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”.

Gjykata e Posaçme prej disa javësh është duke dëgjuar dëshmitarët e SPAK, që akuzon Mediun se ka shpërdoruar detyrën me nxjerrjen e disa akteve ligjore dhe nënligjore për procesin e demontimit.

Tv Klan