Nuk paraqiti asnjë provë që pretendonte të mbrohej

Gjykata e Posaçme dënoi me dy vit burg kryebashkiakun Fredi Belerin, duke e shpallur fajtor për blerjen e votave në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të shkuar. Seanca gjyqësore e përbërë nga kryetari Erion Çela dhe anëtar Irena Gjoka e Flora Hajredinaj u shoqërua me debate të ashpra.

Beleri hodhi akuza ndaj trupës gjykuese që sipas tij nuk ka pranuar kërkesat dhe ka treguar njëanshmëri në gjykim.

Gjyqtari Çela i kërkoi Belerit të ndërpresë akuzat dhe sulmet në drejtim të trupës gjykuese, por të qëndrojë tek çështja penale që e akuzon SPAK.

Para dhënies së vendimit, Beleri mbajti një fjalim, ku akuzoi prokurorinë dhe policinë për sajim të provave kundër tij. Sipas Belerit në dosje nuk përputhet vendndodhja e deklaruar e të infiltruari të policisë me vendodhjen reale.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i qëndroi të njëjtës linjë ashtu si në seanca të tjera, ku e quajti procesin ndaj tij politik.

Gjatë seancës gjyqësore ishte paralajmëruar që Beleri do të dorëzonte dokumente që do e ndihmonin gjatë mbrojtjes, por që nuk i paraqiti. Gjatë seancës avokatët mbrojtës të Belerit thanë se përgjimet e kryera nga prokuroria e Vlorës janë të paligjshme, duke bërë nul të gjitha provat e grumbulluara me anë të këtyre përgjimeve. Ata po ashtu pretenduan se edhe këqyrja e bërë telefonave që iu sekuestruan të pandehurve në këtë proces, është bërë në mënyrë të paligjshme, duke kërkuar kështu që këto prova të mos merren të mirëqena dhe duke kërkuar pafajësi.

Avokati i Belerit tha të njëjtën gjë edhe pas dhënies së vendimit gjatë një prononcimi për mediat.

Përveç Belerit gjykata dënoi edhe Pandeli Kokaveshin. Ndaj tij u vendos 1 vit e 6 muaj heqje lirie, por për shkak të gjendjes shëndetësore, ndaj tij u caktua 3 vite shërbim prove. Në vendimin e gjykatës që u lexua nga gjyqtari Erjon Çela, u caktua që të konfiskohen dhe dy telefonat celularë të Belerit dhe Kokaveshit.

Klan News