Vlada Zmajeviç u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999.

Kryetari i Trupit Gjykues, Dragoje Jovoviç, në arsyetimin e aktgjykimit, theksoi se dëshmitë e paraqitura vërtetojnë se me këtë rast janë kryer krime të luftës, pasi, sipas tij për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari që e ka pranuar në fazën e parë hetimore fajësinë por i ka mohuar më vonë këto deklarata. Në bazë të aktgjykimit Zmajeviç shpallet fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999. Në atë ngjarje Zmajeviq, si pjesëtar i forcave paraushtarake, vrau tre vetë me një armë zjarri si dhe qëlloi për vdekje me thikë një femër.

Në gusht të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Mali të Zi për krim të organizuar dhe krime lufte konfirmoi se kishte arrestuar Vlada Zmajeviqin (47 vjeç) nga Nikshiqi i Malit të Zi, qytet në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën, me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.

Ky është rasti i parë që gjyqësori në Mal të Zi ka dhënë një vendim përfundimtar për vrasjen dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Oda e Avokatëve të Malit të Zi dhe shoqatat civile, disa herë e kanë kritikuar gjyqësorin në këtë vend se nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën. Dështimet ligjore dhe pasiviteti i prokurorisë dhe gjykatave vendore kanë bërë që në Mal të Zi të mos ketë dënime për krime lufte.

I tillë ishte edhe rasti i lirimit nga akuza të 8 ushtarëve të ish-Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj afër Rozhajës në Mal të Zi, gjatë luftës në Kosovë, ku pas një procesi disa vjeçar, të gjithë të dyshuarit u lanë të lirë./VOA