Gjyqtarët do të vendosin në Shkurt për çështjen më të nxehtë që nga ajo e kohës së ish-presidentit Bush

Gjykata e Lartë do të vendosë nëse emri i presidentit Donald Trump do të jetë ose jo në fletën e votimit. Gjyqtarët ranë dakord për të shqyrtuar apelin nga ana e Trump ndaj një vendimi në shtetin e Kolorados që u mor për shkak të rolit të tij në ngjarjet që arritën pikën kulmore me sulmin e 6 Janarit 2021 ndaj Kapitolit.

Vendimi do të jetë i zbatueshëm në të gjithë vendin. Gjykata e Lartë do të shqyrtojë për herë të parë kuptimin dhe shtrirjen e një dispozite të Amendamentit të 14-të që ndalon personat e përfshirë në kryengritje të mbajnë poste publike. Amendamenti u miratua në 1868, pas Luftës Civile.

Gjykata e Lartë e Kolorados me një votim 4-3, vendosi muajin e kaluar se Trump nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve paraprake republikane. Ishte hera e parë që Amendamenti i 14-të u përdor si bazë për të përjashtuar një kandidat presidencial nga gara.

Trump ka apeluar veçmas në një gjykatë shtetërore një vendim të sekretares demokrate të shtetit Mein, Shenna Belloës, sipas së cilit, ai nuk duhej të përfshihej në fletët e votimit në këtë shtet për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kapitolit.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara më 12 Dhjetor zgjidhi një mosmarrëveshje numërimi në zgjedhjet presidenciale në Florida mes Xhorxh Bush dhe Al Gor. Gjykata e Shtetit kishte urdhëruar rinumërimin e fletëve, por Gjykata Supreme e rrëzoi vendimin, duke mos pranuar rinumërimin e votave duke i dhënë fitoren Xhorxh Bush.

Nga ajo gjykatë ka mbetur vetëm gjyqtari Clarence Thomas. Tre nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u emëruan nga Trump, megjithëse ata kanë vendosur në mënyrë të përsëritur kundër tij në paditë lidhur me zgjedhjet e vitit 2020, si dhe përpjekjet e tij për të mbajtur dokumentet që lidhen me 6 Janarin.

Anëtarët konservatorë të gjykatës, Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh kanë qenë pjesë e shumicës së vendimeve të marra nga konservatorët që rrëzuan të drejtën kushtetuese për abortin dhe zgjeruan të drejtat për armëmbajtje.

Klan News