Problematika e radhës na ka çuar në qytetin e Vlorës. Zonja Liljana Bejkosala ka përfituar një pronë me akt-dhurimi nga babai i saj dhe gëzon të gjitha të drejtat mbi këtë pronë. Por nga ZVRPP Vlorë është bërë fshirja e truallit.

Problemi qëndron se ka dalë një ish-pronar për truallin, i cili kishte një vendim të Komisionit të Pronave. Edhe pse ka zhvilluar gjyqe, gjithmonë i ka lënë përgjysmë, pra është tërhequr.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë merret vendimi se ZVRPP nuk ka kompetencë për të fshirë truallin. Shkon çështja në apel dhe më pas në Gjykatën e Shkallës së Lartë dhe lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë. Por në hipotekë nuk i kthehen kufijtë në hartë, pra nuk hiqen kufizimet dhe zonja kërkon këtë të drejtë.

Nga Hipoteka thuhet që po presin një përgjigje nga Drejtoria e Tiranës, por ka kaluar shumë kohë dhe nuk po merr zgjidhje.

Liljana Bejkosala: Unë kërkoj të regjistrohet vendimi i Gjykatës së Lartë.  

Për këtë problem ne iu drejtuam Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe juristi na thotë se është një çështje e komplikuar, pasi për këtë truall janë dy kartela pra dhe e zonjës dhe e zotërisë, i cili ka paraqitur vendimin e Komisionit të Pronave.

Meqë ASHK e Vlorës priste përgjigje nga Drejtoria e Tiranës, ne u interesuam pranë kësaj të fundit për të marrë një përgjigje për rastin e zonjës Liljana. Në përgjigje thuhet se zonja duhet të bëjë një gjyq themeli për zgjidhjen e mbivendosjes së titullit të Xhemil Hoxhës.

Aty shprehen se nuk është zhvilluar një gjyq i tillë, por një gjyq administrativ dhe paditësja nuk ka goditur për pavlefshmëri juridike aktin e fitimit të pronësisë së tij.

Juristi Çlirim Gjata shprehet se gabimi ka filluar tek regjistrimi i pronës, që është bërë për herë të dytë. E dyta është, se vendimet e gjykatës shprehen unanimisht se ky veprim i hipotekës për fshirjen e truallit është i pavlefshëm.

Gazetarja: A është vendim i duhur ky i hipotekës që zonja të bëjë gjyq tjetër, cilat janë pasojat që sjell ky veprim?

Çlirim Gjata: Po sikur ta bëjë gjyqin e themelit kjo dhe të shkojë në hipotekë pas gjyqit të themelit pas nja 10 vitesh të tjera dhe të dalë drejtori tjetër dhe t’i thotë, a jo, tani s’duhet gjyq themeli, do bësh gjyq sipërfaqësor. Hajde gjeje tani, kjo punë s’mbaron kurrë. Me sa pashë dhe me sa lexova vendimet dhe dokumentet që më sollët, ky është një konflikt që ka filluar herët…Hipoteka nuk mund të bënte regjistrim të dytë, kur kishte regjistrim të parë. Ose të paktën, duhej ta njoftonte, t’i thoshte o zonjë hajde se ka ardhur një person për të regjistruar pronën, ke një konflikt këtu…Në vendimin e Gjykatës së lartë thuhet që akti administrativ i hipotekës, i dyti është i pavlefshëm, është nul, nuk sjell asnjë pasojë. S’ka nevojë për gjyq themeli o drejtor i hipotekës…Të gjitha këto sjellje burokratike kanë një emër, është korrupsioni. /tvklan.al