Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar pas emërimit të gjyqtarit të tetë në Gjykatën e Lartë. Në një postim në mediat sociale, Kim shkruan se ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Po ashtu diplomatja bën me dije se kur Gjykata e Lartë të plotësohet me 10 anëtarë do të ketë mundësi që të zgjedhë 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

“Hap i rëndësishëm përpara për zbatimin e Reformës në Drejtësi: Gjyqtari i 8-të emërohet në Gjykatën e Lartë, me të 9-in që do të vijë së shpejti. Sapo të emërohet i 10-ti, Gjykata e Lartë do të ketë kuorumin për të caktuar 3 gjyqtarë të tjerë në Gjykatën Kushtetuese. Faleminderit Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidencës për realizimin e kësaj”, shkruan Kim.

Ky reagim vjen pas dekretit të Presidentit që emëroi gjyqtarin Artur Kalaja për në Gjykatën e Lartë./tvklan.al