Gjykata e Lartë ka shpallur të pafajshëm ish – Ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj.

Pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Arsimit, Prokuroria ngriti ndaj tij akuzën për shpërdorim detyre.

Sipas organit të hetimit, Tafaj kishte lejuar në kundërshtim me ligjin, çertifikimin e disa degëve në universitetin privat “Vitrina”, i mbyllur tashmë, duke anashkaluar Këshillin e Akreditimeve në Ministri.

Dëmi i shkaktuar studentëve, me këtë vendim, përllogaritej rreth 1 milionë euro.

Prokuroria kërkoi 1 vit burg, duke sqaruar se 1 800 studentë kanë marrë diploma, të cilat nuk janë të vlefshme. Sipas saj, Këshilli i Akreditimeve e kishte hedhur poshtë më parë kërkesën e Universitetit “Vitrinat”, për të hapur fakultete të reja.

Kolegji Penal, kryesuar nga Tom Ndreca, nuk ka argumetuar vendimin, por ka lexuar vetëm dispozitivin për shpalljen e pafajësisë.

Në ditët në vijim pritet zbardhja e tij.

Ish – Ministri Tafaj i kishte hedhur poshtë akuzat me pretendimin se ato janë bazuar në ligjin e vjetër të arsimit.

Tv Klan